Më 8 qershor 2023, në një intervistë për Associated Press, Kurti akuzonte dy emisarët, Escobar (ShBA) dhe Lajçak (BE), se po shkojnë te ai me kërkesa të Serbisë. Më 13 korrik 2023, një muaj më pas, ai harroi këtë akuzë të rëndë dhe u pa i buzëqeshur në foton që shpërndau me emisarin evropian, të cilin e takoi në Greqi. Më 18 shtator 2023, Kurti iu rikthye akuzave katër ditë pas dështimit të një takimi në Bruksel. Ai mbajti një konferencë në Prishtinë, nga ku akuzoi Lajçakun se është pozicionuar kundër Kosovës dhe në favorizim të Serbisë. Më 26 tetor 2023, më shumë se një muaj nga kjo akuzë e rëndë, Kurti sërish mbajti qëndrim tjetër ndaj emisarit evropian. Pas takimit me peshëshen diplomatike në Prishtinë, Kurti i falënderoi të gjithë (përfshirë edhe Lajçakun) për “rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.
Këto janë vetëm katër qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, brenda pesë muajve, që e bëjnë atë në sytë e shteteve të fuqishme të angazhuara në dialogun Kosovë – Serbi, si një drejtues shteti joserioz.
Por, pavarësisht faktit se kryeministri Kurti ka qenë i ashpër me emisarin evropian, Lajçak nuk ka pasur asnjë pengesë që të realizojë ndërmjetësimin e tij. Asnjë takim i thirrur prej tij nuk ka dështuar, pasi asnjëra palë nuk ka refuzuar pjesëmarrjen, shkruan Demokracia.com.
Përveç kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në asnjë rast nuk ka hedhur poshtë asnjë propozim të prezantuar nga Bashkimi Evropian, në këtë rast nga ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak. Të vetmet kundërshtime që Kurti ka shfaqur ndonjëherë kanë qenë mospajtimet nga ana e tij se kur duhet të zbatohet një pikë e caktuar e marrëveshjes.
Një nga çështjet më të rëndësishme të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila e rriti politikisht Kurtin, duke ia mundësuar edhe fitoren në zgjedhjet parlamentare, Zajednica apo Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, nuk është hedhur poshtë nga ai, por është pranuar në Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023].
E Zajednicës apo Asociacionit, Kurti ia ka shtuar edhe Nenin 7, duke e obliguar Kosovën për të siguruar një nivel të duhur të vetëmeaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet në Marrëveshjen Bazë të Brukselit.
Vetë kryeministri Kurti, ka zbuluar në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 3 nëntor 2023, siç ka thënë ai: “Neni 7 është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim, më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft-statut për zbatimin e nenit 7”. /Demokracia.com/