Lajme
Statuset nga arratia, SPAK i kërkon ndihmë Facebook-ut për të zbuluar vendndodhjen e Arben Ahmetajt
Demokracia
14:36 | 17 Tetor 2023

Share:

Për të zbuluar vendndodhjen e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve, SPAK i ka kërkuar ndihmë rrjetit social Facebook.

Konkretisht, Prokuroria e Posaçme, pas reagimeve përmes rrjeteve sociale të Ahmetajt në ditët e fundit, ka kërkuar informacion kompanisë META, që zotëron Facebook-un mbi lokacionin e Ahmetajt.

Burime paraprake, bëjnë me dije se SPAK i ka dërguar në letërporosi disa pyetjeve zyrave qndrore të kompanisë të themeluar nga Mark Zuckerberg, i cili ka pronësinë e disa aplikacione në rrjetet sociale, për të gjurmuar vendin nga ku logohet ish-numri dy i qeverisë.

Brenda një viti, Shqipëria ka mesatarisht 60 kërkesa të tilla ndaj kësaj kompanie ndërsa përgjigjet kanë qenë mesatarisht në 50%.

Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria dhe ndaj tij rëndojnë tre akuzat: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Ditët e fundit, Ahmetaj ka reaguar nga adresa e tij në Facebook me dy statuse në lidhje me akuzat e reja të ngritura nga SPAK për çështjen e privatizimit të ish-fabrikës së Bukës në zonën e “5 Majit”, ku shkruante se ka mbrojtur interesat e shtetit dhe nuk e ka shkelur detyrën.

Me anë të reagimit në rrjetin e tij social ish-ministri, e quajti hetimin e ri ndaj tij, si aktin e dytë të tragji-komedisë së politiko-drejtësisë.

Duke ngritur pyetjen nëse të mbrosh interesat e shtetit është shpërdorim detyre, ai iu përgjigj po vetë, duke thënë se “Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë”!

Arben Ahmetaj u shpall në kërkim në muajin korrik të këtij viti për disa akuza, më e rënda prej atyre ajo e pastrimit të parave.

Së fundmi, SPAK hapi ndaj tij një çështje tjetër për rolin që ka pasur në privatizimin e ish-fabrikës së bukës në Tiranë.

Të ngjashme