Lajme
STATISTIKAT| Kalojnë ditët, muajt e vitet e Qeverisë Kurti, Serbia mbetet importuesi më i madh i mallrave në Kosovë
Demokracia
18:23 | 12 Shkurt 2022

Share:

“Është çështje ditësh ose javësh, kurrsesi muajsh, është ndër gjërat e para që do të bëj”, është kjo fjalia e famshme e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kur ishte pyetur për reciprocitetin me Serbinë pak ditë para zgjedhjeve të fundit nacionale, tash një vit. Ky ishte njëri nga premtimet që Kurtin e solli në pushtet, por posa mori Qeverinë, të gjitha këto premtime ranë në ujë, shkruan Demokracia.com. 

Por janë bërë shumë ditë, javë e madje edhe muaj, e Kurti assesi nuk po ka guxim ta marrë hapin që t’i vendos reciprocitet të plotë Serbisë.

E Serbia po vazhdon të mbretëroi me shitjen e produkteve në Kosovë.

Përkundër që hendeku në mes eksportit dhe importit është tepër i madh, Serbia edhe në dhjetorin e vitit të kaluar ishte importuesi më i madh në Kosovë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga të gjitha vendet pjesëmarrëse të CEFTA-s në importin e produkteve në Kosovë, Serbia është e para me 6.4 për qind, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut me 5.2 për qind dhe Shqipërinë me 4.3 për qind.

Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2021 kishte vlerën 65 milionë euro, ndërsa importi 460 milionë euro, që është një rritje prej 39.3 për qind për eksport dhe 29.3 për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

30.5 për qind të eksportit të dhjetorit të vitit të kaluar e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 22.1 për qind janë metalet bazë dhe artikujt e tyre; 11.8 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.1 për qind produktet minerale; 3.9 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike,  etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 14 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.5 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.3 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.6 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 6.9 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 6.8 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj.

Por, vartësja e Kurtit, Rozeta Hajdari, e cila drejton dikasterin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në një emision televizive kishte deklaruar se reciprocitetin është duke ndodhur.

“Qytetarët reciprocitetin e shohin qytetarët vetëm si t’i ndalim kamionët nga Serbia dhe kjo është reciprocitet. Reciprociteti është më i gjerë, është barazi. Unë po ju tregoj që po zbatohet reciprocitetit dhe do të zbatohet edhe më shumë në ditët në vijim. Ne kërkuam barazi kur u paraqitem në përfaqësimin e Kosovës pa UNMIK-un në CEFTA. Ligji për tregti me jashtë ka parimin e reciprocitetit. Unë prej fillimi kam marrë veprime sa i përket barazisë, reciprociteti është shumë i gjerë në fushën e tregtisë. Masat anti-damping, masat për mbrojtjen e importit”, kishte shtuar ajo.

Kujtojmë kur Vetëvendosje ishte në opozitë rrotullonte kamionët e ngarkuar me mallra serbe, duke kundërshtuar produktet e këtij shteti.

Rruga Podujevë-Prishtinë, gjegjësisht fshati Kulinë, ishte i famshëm për rrotullimin e kamionëve nga Vetëvendosje, vitet kur kjo parti po bënte opozitën. /Demokracia.com/

Të ngjashme