Lajme
Sot nafta kushton 1.74 centë, Qeveria lavdërohet dhe thotë se u lirua 20 centë
Demokracia
12:41 | 18 Korrik 2022

Share:

Një litër naftë në Kosovë sot kushton hiç më pak se 1.74 centë, derisa benzina po shitet me 1 euro e 63 centë. Por, edhe përkundër këtyre çmimeve të larta, Qeveria thotë se këto dy produkte janë liruar.

 

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka paralajmëruar caktim të çmimit tavan për artikujt esencialë, pasi tha se po vazhdon abuzimi me çmime.

Ai këtë paralajmërim e ka bërë, duke u krenuar me ata se çfarë kanë arritur lidhur me çmimin e derivateve.

Siç ka thënë “ shefi i kuletës së shtetit”, çmimi tavan për produktet e naftës tashmë po ka efekt.

Madje sipas tij çmimi për derivate është ulur për 30 dhe 20 centë.

“Ju siç e keni pa, një vendim që tashmë është marrë për çmimin tavan të karburanteve tashmë po ka efekt. Krahasuar me periudhën para se të merrej vendimi, çmimi për naftë tash është diku 20 cent më i lirë, çmimi për benzinë është 30 cent më i lirë. Pra, e kemi parë se funksionon një metodë e tillë dhe një gjë e tillë do të mund të replikohej edhe për disa prej produkteve bazë. Pra, që të caktohet një marzhë maksimale e fitimit dhe në bazë të asaj të caktohet një çmim tavan që të parandalohen abuzimet me çmimet e produkteve bazë”.

Por, nafta dhe benzina nuk janw edhe aq lirë siç po thotë Qeveria e Kosovës.

Sipas vendimit të vet Qeverisë,  çmimi maksimal i lejuar për shitjen e naftës për 24 orë është 1 euro e 74 centë, për benzinë 1 euro e 63 centë, derisa për gazin 0.78 centë.

Çmimet vlejnë të njëjtat si ditën e diel edhe sot, duke filluar nga ora 10:00.

Ministri Murati ka treguar se kjo masë nuk do ta shkelte Kushtetutën,  kur është pyetur se Qeveria po ndërhyn në tregun e lirë.

“Nuk mund të ketë shkelje të Kushtetutës. Kushtetuta po ashtu parasheh edhe dinjitetin dhe mirëqenien njerëzore. Pra, d.m.th. sa herë që dinjiteti dhe mirëqenia njerëzore vihet përballë kushteve dhe kritereve tjera, zakonisht mbizotëron dinjiteti dhe mirëqenia njerëzore”, tha Murati.

Ditë më parë, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një deklarim për Demokracia.com ka treguar se si mund të furnizohen qytetarët me derivate më të lira.

Ai ka thënë se këtë e ka në dorë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nëse Albin Kurti dëshiron që t’i ndihmoj qytetarët e Kosovës, dhe që ata të blejnë derivate më të lira, atëherë le ta heq akcizën për naftë dhe benzinë. Këtë vendim mund ta marr qeveria. Neve nuk është që na konvenon, por këtë Kurti mund ta bëjë për qytetarët”, ka treguar Berjani.

Qeveria e Kosovës,  javë më parë ka marrë vendim që të përcaktoj çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë të naftës dhe derivateve të naftës.

Në këtë vendim thuhet se me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të ç’rregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Republikën e Kosovës, përcaktohen çmimet shitëse maksimale/marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë./Dekomracia.com/.

Të ngjashme