Lajme
S’ndalen përplasjet për çmimin e tatimit
Demokracia
17:26 | 25 Maj 2023

Share:

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sërish e ka hedhur fajin tjetërkund për shtrenjtimin e faturave në pronë. Për rivlerësimin e pronave që u krye nga Ministria, Murati ka thënë se ka qenë obligim ligjor, për të cilin komunat s’kishin bërë zë kur u ishin dorëzuar raportet e vlerësimit. Sipas tij, komunat kishin filluar të reagojnë dhe fajësojnë Ministrinë, pas ankesave të qytetarëve. Opozitën e ka akuzuar për show medial.

Gjetja e një gjuhe të përbashkët mes kryetarëve të komunave dhe Ministrit të Financave, duket të jetë një mision i pamundur. Raportet mes tyre vazhdojnë të jenë të acaruara.

Edhe pse mëngjesin e djeshëm, Murati tha shenja se është zbutur kur u pajtua t’ua zhbllokojë mjetet vetanake, hiç më larg se në mbrëmje i ka goditur për shtrenjtimin e faturave të tatimit në pronë.

Ai ka thënë se rivlerësimi i pronave nga ana e Ministrisë së Financave, që ndikoi direkt në shtrenjtimin e faturave, ka qenë obligim ligjor.

“ Ky ka qenë obligim ligjor, pra Ministria e Financave në këtë rast e ka kry një shërbim, por nuk ka marrë asnjë vendim. Sepse edhe kjo padrejtësisht është paraqitur shpeshherë, kam dëgjuar storie të ndryshme apo edhe intervista ku është thënë Ministria apo Qeveria ka marrë vendim, është e pavërtetë. Le të ma gjejë dikush një vendim që e ka marrë Ministria e Financave apo Qeveria për këtë çështje. Kjo ndodhë në mënyrë automatike, sepse Departamenti i Ministrisë së Financave që është për tatim në pronë e ka obligim ligjor ta bëjë vlerësimin, nëse ka nevojë që të angazhojë edhe ekspertë”, ka thënë Murati.

Sipas tij, kur u janë dorëzuar raportet e vlerësimit në shtator të vitit të kaluar, komunat s’kanë bërë zë dhe se pas fillimit të ankesave nga qytetarët, kryetarët e kanë hedhur fajin te Ministria.

“Mirëpo, kur është bërë vlerësimi në shtator të vitit të kaluar, asnjë komunë nuk e ka ngritur këtë çështje me thanë ndryshoni ligjin ose udhëzimin administrativ. U janë dorëzuar vlerësimet, kanë qenë diku tri komuna që kanë thënë se mund të ketë ndarje të zonave, mirëpo edhe ndarja e zonave më të vogla ka qenë e pamundur për shkak të sistemit të cilin pra jemi duke e rindërtu, sistemin informativ, dhe nuk ka pas ankesa. Momentin kur kanë filluar pastaj ankesat e qytetarëve, sepse i kanë pranuar disa faturat më të larta, faji është hedh te Ministria e Financave dhe është thënë pastaj që Ministria e Financave, Qeveria ka marrë vendim që me u shtrenjtu jetën qytetarëve në këtë krizë, duhet me ua lehtësu barrën se përndryshe po ua vëni këmbën në fyt…këso deklarata ka pas nga kryetarët e komunave”, ka deklaruar Murati në ATV.

E opozitën, Ministri e ka akuzuar se ka bërë shoë medial për këtë punë.

“Unë jam thirr në komision parlamentar për çështje krejt tjetër, e është bë prezantimi shoë medial nga deputetja Hykmete Bajrami e pastaj edhe Avdullah Hoti në Komisionin për Buxhet, në lidhje me këtë çështje”.

Pas ankesave të qytetarëve, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që të anulohet procesi i rivlerësimit të pronave dhe që qytetarët të paguajnë faturat sikur vitin e kaluar.

Por, kur u ishin dërguar raportet e vlerësimit të pronave nga Ministria, vetëm dy komuna kishin ngritur pakënaqësi për këtë raport dhe kishin kërkuar korrigjime, Gjakova dhe Kaçaniku.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj, i kishte thënë Gazetës Express se këtë raport e kanë pranuar më 31 tetor.

Lidhur me pakënaqësitë për këtë raport, ai kishte treguar se i ishin drejtuar me shkresë Ministrisë së Financave, për të cilën s’kishin marrë asnjëherë përgjigje.

Gazeta Express e ka siguruar këtë shkresë, ku ndër të tjera, thuhej se vlerësimi nëpër zona nuk është i saktë.

Aty thuhet edhe se s’ishin marrë parasysh propozimet që komuna kishte dhënë gjatë takimit me grupin vlerësuar të Departamentit të Tatimit në Pronë.

“Lidhur me Raportin mbi vlerësimin e përgjithshëm për vitin 2022 e tutje, mendoj se vlerat janë shumë më të larta në raport me vlerësimin e kaluar (të vitit 2019) dhe se ka diskrepancë të madhe në nivelin e vlerave sidomos në Zonën 201, 202 dhe 203. Në takimin që kemi pasur me grupin vlerësues të Departamentit të Tatimit në Pronë kemi dhënë mendimet tona për vlerësim të cilat i kemi përcjellë edhe përmes postës elektronike. Propozimet tona nuk korrespodojnë me Raportin mbi Vlerësimin e Përgjithshëm për Prona Rezidenciale”, thuhet në shkresë.

Nga kjo komunë kishin kërkuar që të merreshin për bazë vërejtjet dhe të korrigjohej raporti.

“Ju lutem të merren për bazë vërejtjet tona dhe të korrigjohet Raporti mbi Vlerësimin e Përgjithshëm për Prona Rezidenciale për vitin 2022, pra të zvogëlohen vlerat për zonat 201, 202, 203, gjithnjë duke iu referuar Raportit mbi Vlerësimin e Përgjithshëm për Prona Rezidenciale të vitit 2019”, thuhet në shkresë.

Me shkresë të ngjashme, Ministrisë i ishte drejtuar edhe Komuna e Kaçanikut. Edhe kjo komunë e cilësonte vlerësimin si jo real, e të paarsyeshëm.

“Ngritja e çmimeve sipas vlerësimit të ri për mendimin tonë është e lartë dhe e paarsyeshme ngase fillon nga +4.8% deri 42.9% më e lartë për objekte rezidenciale (shtëpi familjare) dhe nga +38.10% deri në 80.00% më e lartë për apartment, e poashtu edhe çmimet për parcela për shtëpi familjare dhe apartment në 4 zona ka zbritje nga -16/675 deri në -20%, ndërsa zonat tjera ngritje nga 0% deri në 166/67% që është e njejtë edhe për parcelat për apartment dhe parcelat për objekte tjera rezidenciale”, thuhet në shkresën që Komuna e Kaçanikut i kishye dërguar MFPT’së, në nëntor të vitit 2023.

Ministri Hekuran Murati e ka injoruar kërkesën e komunave dhe ka nxjerrë Projektligj, që parasheh që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023.

Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

“Në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.”

Aty sqarohet edhe se falja tatimore zbatohet vetëm për këtë vit.

“Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.

Ky projektligji është miratuar më 31 mars në Qeverinë e Kosovës dhe është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, por ende nuk ka kaluar as në lexim të parë.

Projektligji është duke u bartur qe disa seanca.

Murati ka deklaruar se me faljen që do të bëhet, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për këtë vit, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.

Nga tatimi në pronë, shteti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro.

Të hyrat e mbledhura nga tatimi në pronën e paluajtshme arkëtohen në llogarinë e komunës ku ndodhet prona e paluajtshme dhe shfrytëzohen nga komuna për zhvillimin e infrastrukturës dhe projekte të tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet çdo tre ose pesë vjet.

Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.

Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019.

Të ngjashme