Intervista
Sllavko e Igor Simiq në Amerikë, Trajkoviq: Taktikë e SHBA, që Vuçiq të pajtohet për një kompromis me Kosovën
Demokracia
11:13 | 28 Korrik 2023

Share:

Dy zyrtarët e Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe Igor Simiq kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata dje në Washington janë pritur nga Përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Por pse ky udhëtim i tyre në këtë kohë në Washington, a ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme në katë komunat veriore pse s’është ftuar kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Lidhur me këtë në një intervistë për Gazetën Express ka folur politikania serbe, Rada Trajkoviq.

Sipas Trajkoviq, kjo vizitë e zyrtarëve të Listës Serbe synon hapur që të krijojë një pamje se partia e Goran Rakiq vepron e pavarur nga Beogradi, edhe pse Trajkoviq thotë se të gjithë e dinë se nuk është ashtu, meqë Vuçiq i kontrollon nga afër. Politikania serbe thotë se e gjithë kjo është një “koreografi diplomatike” që duhet të çojë drejt një kompromisi.

Përveç kësaj, Trajkoviq për Express potencon se përmes kësaj vizite, SHBA-ja po ua jep shansin zyrtarëve të Listës Serbe që të pozicionohen si të pavarur, në mënyrë që të marrin përgjegjësinë por edhe fajin për krizën në veri.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës këtë vizitë në SHBA e sheh edhe si një shteg-dalje për presidentin serb, në mënyrë që ai mund “t’i lajë duart nga vendimet e gabuara që ka marrë lidhur me veriun dhe të bëj një kompromis me Kosovën.

“SHBA po u jep zyrtarëve Srpska një shans për t’u pozicionuar si përfaqësues ‘të pavarur, autentikë’ të popullit vendas, në mënyrë që ata të marrin përgjegjësinë – por edhe fajin – për paqëndrueshmërinë e fundit në veri. Në këtë mënyrë, Vuçiqit mund të duket sikur nuk kishte kontroll mbi veprimin e tyre. Në fakt, vizita e tyre është një shtegdalje për Vuçiqin, në mënyrë që ai të mund të lajë duart nga vendimet e gabuara që ka marrë në lidhje me veriun, dhe në vend të kësaj të negocioj një kompromis me Prishtinën”, ka thënë Trajkoviq për Gazetën Express.

Ajo thotë se është interesante që dy zyrtarët e Listës Serbe përveç zyrtarëve të DASH-it, do të takohen edhe me anëtarë të grupit serb në Kongresin Amerikan. Sipas Trajkoviq kjo po bëhet për të përmirësuar pozitën politike Vuçiqit dhe për t’ia mundësuar arritjen e një marrëveshje për Veriun më me lehtësi.

“Është interesante se përveç zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, përfaqësues të Listës Serbe po takohen edhe me anëtarët e grupit serb në Kongresin Amerikan. Kjo do të thotë se ata janë gjithashtu aty për të lobuar në grup në favor të Vuçiqit. Si përmbledhje, vizita e tyre në Uashington ka për qëllim përmirësimin e pozitës politike të Vuçiqit dhe për t’i mundësuar atij të arrijë një marrëveshje në lidhje me veriun me më shumë lehtësi”, ka shtuar tutje Trajkoviq.

Por pse s’ka udhëtuar drejt Brukselit kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe a mund të ndërlidhet kjo në ndonjë pikë me afërsinë e tij me Milan Radojicicin? Trajkoviq thotë se të gjithë në Listën Serbe kontrollohen nga Radojicic dhe se ky është një fakt dhe shton se Rakiq s’ka udhëtuar drejt Washingtonit meqë sulmet që janë bërë ndaj tij nga serbët lokalë kanë krijuar përshtypjen se ai ka humbur besueshmërinë tek banorët vendas.

“Të gjithë zyrtarët Srpska kontrollohen nga Milan Radoicic. Ky është fakti. Dhe për sa kohë që ai të mbetet nënkryetar i partisë, kështu do të mbetet. Gjithashtu, të mos harrojmë se zyrtarët Srpska do të priten në Uashington DC nga bashkëpunëtori i tyre i vjetër, ambasadori serb Marko Gjuriq, i cili njihet edhe për marrëdhëniet e tij të ngushta me Radoiçiqin. Të gjitha janë prerë nga e njëjta rrobë. Rakiq është përjashtuar nga kjo vizitë si pasojë e sulmit fizik që ka përjetuar nga banorët vendas në veri, gjë që e ka dëmtuar ndjeshëm besueshmërinë e tij. Kjo ka krijuar përshtypjen se ai nuk gëzon më respektin e banorëve vendas – prandaj ka ardhur vendimi për të vënë zyrtarë të tjerë në ballë këtë here”, ka potencuar Trajkoviq në këtë intervistë për Express.

Trajkoviq në fund thotë se vizita e dy zyrtarëve të Listës Serbe në Washington është një veprim taktik e diplomatik i SHBA-së që ka për qëllim të krijojë hapësirë politike që Vuçiq të pajtohet për një kompromis me Kosovën.

Politikania serbe që këshillon ministrin në Qeverinë Kurti Nenad Rashiq, thotë se është e një rëndësie të madhe që të sigurohet pjesëmarrja e pakushtëzuar e serbëve në zgjedhjet në veri dhe se zyrtarëve të “Srpskas” po iu kërkohet që të mos bëjnë presion dhe të mos pengojnë akterët e tjerë politik në veri që të marrin pjesë në zgjedhje.

Sipas Trajkoviq, SHBA dëshiron që fillimisht të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet derisa parashikon që krijimi i Asociacionit mund të vihet si kusht pak para se nis themelimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

Trajkoviq për Express thotë se kjo vizitë e zyrtarëve të Listës Serbe në SHBA është për të negociuar humbjen e pushtetit politik. Ngjarjet e fundit në Veri, Trajkoviq potencon se kanë zvogëluar në mënyrë dramatike hapësirën manovruese të tyre dhe s’u ka mbetur zgjidhje.

“Siç thashë më herët, ky është një veprim taktik diplomatik i SHBA-së, që synon të krijojë një hapësirë politike që Vuçiq të pajtohet për një kompromis me Prishtinën. Aktualisht, është e një rëndësie të madhe që të sigurohet pjesëmarrja e pakushtëzuar e serbëve në zgjedhjet në veri. Gjithashtu, zyrtarëve Srpska po u kërkohet të mos bëjnë presion dhe të mos pengojnë aktorët e tjerë politikë serbë në veri që të marrin pjesë në zgjedhje. Me fjalë të tjera, veriu duhet t’i kthehet një farë demokracie dhe rendit institucional. SHBA-të do të donin të shihnin fillimisht pjesëmarrjen politike pa asnjë kusht. Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të parashtrohet si kusht më vonë, ndoshta pak para se institucionet lokale të formohen realisht pas zgjedhjeve. Me fjalë të tjera, zyrtarët Srpska janë në SHBA për të negociuar humbjen e pushtetit të tyre politik në veri. Hapësira e tyre për të manovruar është zvogëluar në mënyrë dramatike gjatë ngjarjeve të fundit dhe është e qartë se ata nuk kanë më zgjidhje në këtë çështje”, ka përfunduar Rada Trajkoviq.

Të ngjashme