Lajme
“S’kemi marrëveshje me Serbinë” e “Do ta shkruaj vetë Statutin e Zajednicës” | Kurti e Konjufca e kuptojnë çfarë pranuan në dëm të Kosovës, provojnë të distancohen
Demokracia
08:46 | 28 Dhjetor 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti duket se ka nisur të pendohet për marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Edhe Glauk Konjufca mbrëmë është përpjekur t’i mohojë marrëveshjet e Kurtit më 27 shkurt dhe 18 mars, që e lidhën përgjithmonë integrimin evropian të Kosovës me themelimin e Zajednicës dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe.

Pasi u përballë me shumë kritika për kompetencat shtesë që ia dha serbëve të Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që më herët e quante Zajdenicë, Kurti tash po tenton të ikë nga ajo që u zotua para përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-së, shkruan Demokracia.com.

Kurti tha se shansi që të krijohet Zajednica, që ai ia shtoi kompetencat, humbi më 26 tetor në Bruksel, ku ai ishte takuar me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.

Para pak ditësh, Kurti shprehu gatishmërinë që në vitin e ardhshëm ta shkruajë një draftstatut për Zajednicën, përkundër që nuk e bëri deri më tani ndonëse i kishte të gjitha mundësitë.

Tek pasi iu rrit presioni që ai ta themelojë Zajednicën dhe Vuçiqi nuk ia plotësoi dëshirën që ta nënshkruajë, Kurti doli me idenë e re që ta shkruajë vetë draftin e statutit.

“Draft-statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiqi). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian, Miroslav Lajçak, meqë draftstatuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, shkroi Kurti.

Ndërsa, BE-ja dhe SHBA-ja presin që ai të lëvizë drejt formimit të Asociacionit mbi bazën e propozimit europian, Kurti tha se shansi humbi në natën e 26 tetorit.

“Unë po ju them gjëra që ua kam thënë edhe më herët, sepse s’ka ndonjë gjë të re këtu që unë të kem përgjigje të reja”, tha Kurti të mërkurën në një konferencë për media, ku u pyet sërish për Asociacionin.

“Më 26 tetor më është thënë që situata është urgjente, nuk po përfundon agresioni rus në Ukrainë, nisi edhe një luftë në Lindjen e Mesme, rrjedhimisht është çështje jetike, urgjente, normalizimi i marrëdhënieve. Meqë është ashtu, sonte po e nënshkruajmë. Por, ka renditje të dokumenteve për nga rëndësia dhe kronologjia: marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe draftstatuti për të cilin unë dy ditë më herët i kisha dërguar vërejtjet e mia”, tha ai.

“Ajo ishte një shans i madh. Ata që në Bashkimin Europian ishin shumë të interesuar, për shembull, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht për draftstatutin e propozuar, e patën shansin. Presidenti i Serbisë që vazhdimisht e përmend Asociacionin, e pati shansin. Por, nuk u bë për mungesë të gatishmërisë sime, andaj nuk ka kuptim të vazhdoni të më pyesni mua edhe më shumë. Pra, duhet të pyeten ata atje pse e humbën atë shans aq të mirë. Unë që isha i gatshëm për nënshkrim, tash a jam serioz? Po ku ka më serioz sesa të thuash eja nënshkruajmë sonte. Më seriozitet se kaq në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka. Aty joserioziteti i doli palës serbe, që nuk nënshkruan”, shtoi Kurti.

Kryeministri Kurti tha se më 18 mars kur ishte marrë vesh me Vuçiqin në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, kishte propozuar që ta shkruante vetë draftstatutin e Asociacionin “me tri principe”. “Por m’u tha jo. Ajo ishte koha kur thuhej që të dyja palët duhet të pajtohen”, tha Kurti.

Por, më i çuditshëm se Kurti, të mërkurën u shfaq bashkëpartiaku i tij, kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje. Por, këtë e tha vetëm si mendim: ”unë mendoj”.

“Unë konsideroj ndryshe qysh po mendojnë, i kam parë kështu edhe nëpër studio televizive. Unë mendoj që nuk kemi marrëveshje me Serbinë. Ne nuk kemi marrëveshje me Serbinë dhe kjo e bën situatën edhe më të komplikuar”, ka thënë Konjufca.

Lexo edhe:

“S’kemi marrëveshje me Serbinë” | Konjufca bëhet sikur nuk e ka parë çfarë ka bërë Kurti më 27 shkurt në Bruksel e 18 mars në Ohër

Miroslav Lajçak, ndërmjetësi i përhershëm i takimeve ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit dhe i takimeve të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, së fundmi u paraqit më i kënaqur me procesin, duke përmendur se ka progres në normalizimin e marrëdhënieve.

Por, kryeministri i Kosovës tha se “Serbia është tërhequr nga marrëveshja bazike” dhe se kjo është “pengesë kapitale për normalizim”.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u intensifikua këtë fundvit, ndërsa Bislimi dhe Petkoviq shumë shpejt pritet t’i kthehen angazhimit në bisedime. Ata u takuan në nëntor në Bruksel, pasi Kurti në tetor ishte shprehur i gatshëm të nënshkruante për themelimin e Asociacionit, sipas propozimit që ndërkombëtarët ia kishin sjellë po atë muaj./Demokracia.com/

Të ngjashme