Lajme
“S’kemi marrëveshje me Serbinë” | Konjufca bëhet sikur nuk e ka parë çfarë ka bërë Kurti më 27 shkurt në Bruksel e 18 mars në Ohër
Demokracia
22:35 | 27 Dhjetor 2023

Share:

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka marrëveshje me Serbinë.

Konjufca sonte habiti opinionin publik, kur i mbylli sytë para faktit se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve në Ohër të Maqedonisë së Veriut ndërmjet kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuҫiq, shkruan Demokracia.com.

“Unë konsideroj ndryshe qysh po mendojnë, i kam parë kështu edhe nëpër studio televizive. Unë mendoj që nuk kemi marrëveshje me Serbinë. Ne nuk kemi marrëveshje me Serbinë dhe kjo e bën situatën edhe më të komplikuar”, ka thënë Konjufca.

“Ja pse unë mendoj që nuk kemi marrëveshje. Serbia në çdo veprim dhe në çdo hap po i shkelë detyrimet të cilat i ka marrë. Po e shkel marrëveshjen e Ohrit, atë baziken”.

Kryeparlamentari ka përmendur faktin se Serbia është përfshirë në sulmin e 24 shtatorit dhe ka shpallur ditë zie për të vrarët në sulmin terrorist dhe kjo, sipas tij, tregon që edhe vetë shteti serb qëndron prapa këtij grupi drejtpërdrejtë e deri te dorëzimi i letrës së kryeministres serbe Ana Bërnabiq në BE, që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës.

“A e dini ju çka do të thotë një shtet të dorëzojë për shtetin tjetër një letër, ku thuhet se nuk e respekton integritetin territorial. Unë mendoj që ai shtet po tregon se është i gatshëm të nisë luftën”, ka thënë më tej Glauk Konjufca.

 

Insistimi i çuditshëm i Kurtit për themelimin e “Zajednicës”, e kërkon nënshkrimin e Serbisë për çështje të brendshme të Kosovës

LEXO EDHE:

Kurti takon Lajçakun: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet plotësisht, shpejt, pa parakushte dhe pa vonesa


Çka përmban marrëveshja e Ohrit

1. Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

2. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi.

3. Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

4. Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

5. Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

6. Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

7. Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

8. Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.

9. Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

10. Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

11. Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja. /Demokracia.com/

Të ngjashme