Lajme
Skeja: Ministria e Shëndetësisë punoi “krye n’veti”, do të marrim masa nëse nuk përfshihemi në hartimin e ligjit
Demokracia
19:52 | 10 Shkurt 2023
Ilustrim

Share:

Më 28 dhjetor të vitit të kaluar në mbledhjen e qeverisë është miratuar koncept dokumenti për shëndetin mendor. Përmes përditësimit të ligjit aktual synohet të bëhet avancimi i përkujdesit shëndetësorë për pacientët me kondita të shëndetit mendor.

Fakti se objektivat e këtij koncept dokumenti ishin të ndryshme nga ato të draftit paraprak ka qenë mjaftë befasues për shoqërinë civile dhe publikun në përgjithësi.

Në lidhje me këtë themelues i OJQ-së “Qendra për Informim dhe Përmirësim Social”, Bind Skeja në një deklarim për Insajderin është treguar mjaftë kritik.

”Për neve ka qenë absurde me ndërru objektiven në mes të procesit. Nuk kemi qenë të informuar paraprakisht që është duke u ndryshuar objektiva. Madje as nuk kemi marrë ftesë për të dhënë komente në lidhje me të. Ka qenë si akt i përfunduar. Është bërë totalisht “krye në veti”, pa kurrfarë “inputi” të pranuar nga institucione që punojnë nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë ai.

Skeja, draftin e miratuar të këtij koncept dokumenti e ka cilësuar si jo gjithëpërfshirës.

“Askund në koncept dokument nuk përdoret fjala Queer ose LGBTQ+, gratë shumë pak përmenden edhe pse mënyra se si ndikohen prej çrregullimeve të shëndetit mendorë nuk është e njëjt si për gratë si për burrat. E njëjta gjë ndodh edhe me grupet e tjera pakicë. Do me thënë janë totalisht të pa përmendura në koncept dokument”, ka deklaruar Skeja.

Për të, mos përfshirja në koncept dokument e komuniteteve të lartcekura dhe hartimi i tij pa i marrë parasysh komentet e qytetarëve dhe shoqërisë civile pos tjerash është edhe dëmtim i demokracisë.

“Kjo paraqet rrezik për procesin demokratik të ligjbërjes dhe politikëbërjes në Kosovë. Pasi, arseja pse draftet e ligjeve vendosen në diskutim publik është me i marrë parasysh edhe mendimet e qytetarëve dhe shoqërisë civile. Nëse  këto komente që vijnë në mënyrë kaq të fuqishme refuzohen atëherë cila është esenca e këtij procesi”, ka shtuar Skeja.

Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se do të marrin masa nëse përfaqësues të shoqërisë civile nuk përfshihen në grupin punues për hartimin e ligjit për shëndetin mendor.

“Jemi duke i shqyrtuar mundësitë për të marrë masa në qoftë se nuk përfshihemi ne si shoqëri civile në grupin punues. Në të gjitha takimet që i kemi zhvilluar me zëvëndësministrin Berishaj, na është premtuar se do të jemi pjesë e saj. Nëse jo do të marrim masa”, ka përfunduar ai duke mos treguar se për çfarë masa bëhet fjalë.

Ndryshe, gjatë fazës sa koncept dokumenti ka qenë në fazën e diskutimit publik 29 organizata të shoqërisë civile dhe departamenti i psikologjisë në Universitetin e Prishtinë “Hasan Prishtina” kishin kërkuar që në ligj të përfshihej edhe “Linja për parandalimin e Vetëvrasjes”.

Por, ky propozim e shumë të tjera nuk janë marrë parasysh në koncept dokumentin e miratuar nga qeveria për afërsisht tre muaj më vonë.

Të ngjashme