Lajme
Skandaloze | Shkelet Kushtetuta, Udhëzimi Administrativ i Kurtit për largimin e kryetarëve nuk parasheh askund që votimi të shpallet nga Presidenti
Demokracia
15:03 | 05 Shtator 2023

Share:

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar versionin final të Udhëzimit Administrativ përmes të cilit përcaktohet rruga për largimin e kryetarit nga funksioni. Ky udhëzim hartohet si domosdoshmëri për largimin e katër kryetarëve shqiptarë nga drejtimi i komunave të veriut të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Ky Udhëzim Administrativ, që ka marrë formën përfundimtare me nënshkrimin e Ministrit të MAPLS-së, Elbert Krasniqi, vetëm sa do të shtojë paqartësitë ligjore për organizimin e mënyrës së votimit për largimin e kryetarëve.

Në asnjë nga 10 nenet e këtij udhëzimi nuk përmendet ‘Presidenti i Republikës së Kosovës’ dhe roli i tij sipas Kushtetutës së Kosovës në procesin zgjedhor, që përfshin shpalljen e zgjedhjeve në një komunë të caktuar apo në të gjithë Kosovën.

Edhe pse pjesë e Grupit Punues që ka hartuar këtë udhëzim kanë qenë edhe përfaqësues të Presidentes së Osmanit, siç duket zyrtarët e saj kanë arritur që në procesin e largimit të kryetarëve shqiptarë ta mbajnë larg presidenten nga detyrimet e saj që i ngarkohen me Kushtetutë.

Sipas pikës 8 të nenit 6 të udhëzimit, nëse 20% e votuesve të regjistruar në një komunë e mbështet kërkesën për largimin e kryetarit, KQZ-ja që do të verifikojë listën e të nënshkruarve, e njofton Kryesuesin e Kuvendit Komunal, Kryetarin e Komunës, Grupin Nismëtar dhe Ministrinë.

Por, pika më problematike e këtij udhëzimi, që do të mund të shtojë paqartësitë në të ardhmen është pika 9 e nenit 6 të këtij udhëzimi. Aty nuk tregohet se kush do ta shpallë apo nxjerrë dekretin për organizimin e votimit. Aty përmendet vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shkruan Demokracia.com.

“9. Në rast se konstatohet se kërkesa është e mbështetur nga së pau 20% e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni nga KQZ”.

Në nenin 8 të udhëzimit, pikën 1, tregohet se “procesi i votimit për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni zhvillohet sipas procedurave dhe rregullave për zgjedhjet të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale”.

Ndërkaq, në pikën 2, obigohet KQZ-ja që të ndërmarrë veprimet për administrimin e procesit të votimit për largimin e kryetarit nga funksioni. Sipas udhëzimit, për çdo fazë të procesit, KQZ konsultohet me kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe Grupin Nismëtar.

Ditë më parë, Demokracia.com ka publikuar një analizë në të cilën tregohej se sa është numri i votuesve që duhet ta nënshkruajnë peticionin dhe sa duhet të votojnë për largimin e kryetarëve shqiptarë të veriut, në mënyrë që procesi të mund të quhet i suksesshëm. /Demokracia.com/

Ja sa votues duhet ta nënshkruajnë peticionin dhe sa duhet të votojnë për largimin e kryetarëve shqiptarë të veriut

Të ngjashme