Lajme
Skandali që po dridh SHBA-në| Bideni shprehet i habitur për dokumentet e klasifikuara që u gjetën në zyrën e tij
Demokracia
17:07 | 11 Janar 2023

Share:

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se është habitur kur ka kuptuar në nëntor se dokumente të klasifikuara janë gjetur në ish-zyrën e tij private.

“Nuk e di se çka ka në këto dokumente”, ka thënë Bideni, duke shtuar se avokatët e tij i kanë kërkuar që të mos pyes për përmbajtjet, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Dokumentet e zbuluara në qendrën “Penn Biden” në Washinton, raportohet se përmbajnë informata për shtetet e huaja.

Një komitet republikan i Kongresit ka deklaruar se do të kryejë hetime lidhur me këtë.

Dokumentet ishin gjetur më 2 nëntor të vitit të kaluar, disa ditë para zgjedhjeve afatmesme në SHBA.

Zyrtarët hetues janë duke kërkuar nëse ka dokumente shtesë të klasifikuara në ndonjë lokacion tjetër që ka të bëjë me Bidenin.

Dosje të klasifikuara pretendohet të jenë gjetur në zyrën private të Bidenit

Departamenti amerikan i Drejtësisë po shqyrton dokumentet potencialisht të klasifikuara të gjetura në zyrën e mëparshme të presidentit, Joe Biden në një institut kërkimor, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.

Rreth 10 prej dosjeve u zbuluan në një dollap të mbyllur në Qendrën “Penn Biden” në Washington në nëntor, nga ekipi ligjor i Bidenit, ka thënë avokati i tij, raportoi BBC-ja të martën.

Grupi i dokumenteve i është dorëzuar Arkivit Kombëtar.

Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, po përballet me një hetim për marrjen e dosjeve të klasifikuara në Florida pas presidencës së tij.

Sipas partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, FBI-ja është përfshirë në hetimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në Qendrën “Penn Biden” dhe prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Merrick Garland i është kërkuar të shqyrtojë dokumentet.

Një burim i njohur me çështjen i tha CBS News se grupi i dokumenteve nuk përmbante sekrete bërthamore dhe ishte vendosur në një dosje në një kuti me dokumente të tjera të paklasifikuara.

Richard Sauber, këshilltar i posaçëm i presidentit Biden, tha në një deklaratë për CBS të hënën se dosjet u zbuluan pak para zgjedhjeve afatmesme nga avokatët e Bidenit që po pastronin hapësirën e zyrës. Bideni mbajti një zyrë në institutin e mendimit, i cili është disa kilometra nga Shtëpia e Bardhë, nga viti 2017 deri në vitin 2020.

Trumpi reagoi të hënën në faqen e tij të mediave sociale, “Truth Social”, duke pyetur se kur do t’i bastiste FBI-ja shtëpitë e shumta të Bidenit apo ndoshta edhe Shtëpinë e Bardhë.

Trumpi është nën hetim për gjoja rezistimin ndaj kërkesave për të kthyer rreth 300 dokumente të klasifikuara që ai mori në pronën e tij në Florida, Mar-a-Lago, pasi la postin.

Dosjet e Bidenit u zbuluan pak përpara se departamenti i drejtësisë të njoftonte se do të caktonte një avokat të pavarur për të vendosur nëse do ta akuzonte penalisht Trumpin për dosjet e gjetura në klubin e tij të golfit.

 

 

Të ngjashme