Një skandal ka shpërthyer në Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës së Kosovës – MPJD. Afro 1000 pasaporta diplomatike nuk kanë shkuar tek personat që i kanë porositur ato në muajt e fundit nga kompania: A.L. DUSHI SH.P.K. e kontraktuar nga ministria e Gërvallës, shkruan Demokracia.com.
Pas një zhvillimi dramatik për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), kontrata me operatorin ekonomik për shërbimet postare diplomatike është ndërprerë dje. Demokracia.com posedon vendimin për ndërprerjen e kontratës dhe ndonëse nuk ceket në vendim, nga burime brenda MPJD-së mësohet se qindra pasaporta i janë avulluar kësaj kompanie.
Kontrata e shërbimeve postare diplomatike, me numër 216-23-13152-2-1-1, u ndërpre zyrtarisht pas pranimit të rekomandimit nga menaxheri i kontratës, bazuar në Rregulloren nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, Neni 72, pika 72.1 dhe 72.9. Menaxheri i kontratës dërgoi një rekomandim tek Departamenti i Prokurimit, duke argumentuar se operatori ekonomik ka dështuar në përmbushjen e afateve kohore të përcaktuara në kontratë.
Bazuar në këtë dokument, një nga shkeljet më të mëdha ishte mosrespektimi i afateve kohore për dërgesat diplomatike.
“Dërgesat e para nuk arritën brenda afatit të specifikuar prej 24-48 orësh në Zonën 1. Kjo shkelje e vazhdueshme u shoqërua me paralajmërime nga menaxheri i kontratës, i cili më 26 qershor 2024 dërgoi një vërejtje me shkrim ndaj operatorit. Edhe pse operatori u paralajmërua, një dërgesë tjetër, e nisur më 3 korrik 2024, përsëri nuk arriti në destinacion brenda kohës së caktuar. Kjo përkeqësoi situatën dhe vërejtja e parë me shkrim u dërgua zyrtarisht më 5 korrik 2024”, thuhet në vendim, përcjell Demokracia.com.
Situata u përkeqësua me një incident tjetër të rëndë më 1 korrik 2024, kur një dërgesë nga Ambasada e Kosovës në Romë për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) mbërriti me zarfe të dëmtuara, përfshirë lëndë gjyqësore. Menaxheri i kontratës reagoi menjëherë, duke i dërguar operatorit ekonomik dëshmi të gjendjes së dokumenteve të dëmtuara dhe kërkoi shpjegime. Një tjetër problem u raportua më 17 korrik 2024 nga Ambasada e Kosovës në Bern, e cila raportoi se posta diplomatike nuk ishte dorëzuar në ambasadë, por ishte lënë në një postë publike jashtë ndërtesës.
Menaxheri i kontratës vazhdoi të komunikojë me operatorin për të kërkuar përmirësime të shërbimit, por situata nuk u përmirësua. Edhe pas vërejtjes së parë, më 9 tetor 2024, operatori nuk respektoi afatet kohore për dërgesat e tjera, konkretisht për 12 dërgesa të datës 2 tetor 2024, të cilat nuk arritën me kohë në destinacionet e përcaktuara. Si rezultat, më 15 tetor 2024 u vendos që operatorit t’i dërgohet vërejtja e dytë me shkrim.
Një takim i rëndësishëm u mbajt më 18 tetor 2024 për të diskutuar mosrespektimin e afateve, ku u theksua se një numër i konsiderueshëm dokumentesh, përfshirë 406 pasaporta dhe 165 letërnjoftime, ende nuk kishin arritur në destinacion. Menaxheri kërkoi nga operatori që deri më 21 tetor 2024, ora 12:00, të jap një përgjigje të detajuar për arsyet e mosdërgimit në kohë.
Në përgjigjen e tij, operatori ekonomik justifikoi vonesat duke theksuar kompleksitetin e procesit dhe përfshirjen e shumë aktorëve. Ata kërkuan kohë shtesë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare, duke pretenduar se janë duke e trajtuar çështjen si prioritet të lartë. Megjithatë, operatori u shpreh se dokumentet nuk ishin pranuar ende nga partnerët logjistikë, duke krijuar një zinxhir vonesash të papranueshme për një shërbim kaq të rëndësishëm, siç është posta diplomatike.
Pas shqyrtimit të situatës dhe dështimeve të njëpasnjëshme të operatorit për të përmbushur detyrimet, u vendos ndërprerja e kontratës. “Në mbështetje të Nenit 87.2.4 të Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, dhe duke u bazuar në rregulloren përkatëse për prokurimin publik, ky vendim është i ligjshëm dhe përfundimtar. Kostoja totale e kontratës ishte 250,000 euro, ndërsa deri në ndërprerje ishin kryer pagesa prej 22,177.78 euro për periudhën qershor-shtator”, thuhet në vendimin për ndërprerje të kontratës të siguruar nga Demokracia.com.
Ndërprerja e kontratës erdhi pas një periudhe të gjatë ankimimesh nga qytetarët dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës për vonesat dhe cilësinë e dobëta të shërbimeve.
Tenderin fillimisht e fitoi “3 P shpk”
Tenderi për “Shërbimet postare Diplomatike – RITENDER” ka pasur telashe të mëdha që nga inicimi i tij. Demorkacia.com ka raportuar lidhur me këtë.
Ky tender që peshon hiç më pak se 250 mijë euro ishte hapur fiks më 24 nëntor 2023. Në garë kanë qenë vetëm dy kompanitë e lartpërmendura, të cilat kanë ofruar me çmim për njësi. “3 P shpk” kishte ofertuar me çmim dukshëm më të lirë për njësi ose fiks 233.4 euro, ndërsa “A.L. Dushi SH.P.K” me çmim për njësi 1,304.55 euro.
Pas vlerësimit të ofertave për kontratë është rekomanduar kompania “3P shpk”.
Menjëherë pas këtij vendimi, kërkesë për rishqyrtim kishte paraqitur kompania “A.L. Dushi SH.P.K”, duke konsideruar se kompania e rekomanduar nuk ka plotësuar një varg të kërkesave. MPJD e ka miratuar këtë ankesë dhe e kishte kthyer në rivlerësim tenderin. Kompania që ishte shpallur fituese herën e parë, tash ishte eliminuar për një varg arsyesh, të cilat prokurimi nuk i kishte vërejtur herën e parë dhe për kontratë më 13. 03. 2024 është rekomanduar kompania ankuese që ka pasur çmim disa herë më të shtrenjtë, shkruan Demokracia.com.
Me vendimin e ministrisë pastaj nuk ishte pajtuar kompania që ishte rekomanduar për kontratë herën e parë dhe ajo menjëherë kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim, duke i ofruar faktet e veta tek ato pika për të cilat ishte eliminuar nga ministria. Demokracia.com kishte gjetur se ministria nuk e ka trajtuar fare këtë ankesë. Sipas tyre, dokumenti i ankesës është ngarkuar në e-prokurim tek pjesa e dokumenteve shtesë, anise për këtë kompania ankuese ka shkruar se e kishte njoftuar AK-në se kishte bërë gabim në ngarkimin e dokumentit në e-prokurim dhe menjëherë të njëjtin e kishte ngarkuar si dokument të veçantë që kishte të bënte si kërkesë për rishqyrtim. Por, ministria nuk e ka trajtuar fare dhe kjo është arsyeja pse “3 P shpk” ka paraqitur ankesë në OSHP më 25 mars. Pretendimet e saj janë se ankesa është bërë me kohë, por ministria nuk ka vepruar konform ligjit që ta trajtojë atë. (Ankesa dhe ecuria e tenderit)
“Gjykata e tenderëve” i kishte dhënë të drejtë ministrisë dhe ajo kishte lidhur kontratë me “AL Dushi”
Dy shoqet për një tender
Në garë për t’i ofruar këto shërbime për MPJD-në kanë qenë dy kompani. Kompania “3 P shpk”, që drejtoreshë menaxhuese është Shqipe Dushi Peja dhe kompania “A.L. Dushi SH.P.K” me pronare Xhylizare Selimi-Dushi për të cilën Demokracia.com ka mësuar se është shoqe shumë e afërt e Blinera Osmanit, motrës së të parës së shtetit, por miqësi ka edhe me vetë presidenten Osmani.
Blinera Osmani nuk ka të bëjë asgjë me kompaninë “3P”, e cila merret më shërbimet postare. Shoqërinë e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, pjesë e të cilës është edhe ajo, e kishte angazhuar kompania ankuese për përfaqësim ligjor në OSHP.
Nga ana tjetër, Demokracia.com kishte raportuar para dy viteve se Presidenca e Kosovës kishte nënshkruar kontratë për shërbime emergjente postare për nevojat e këtij institucioni. Sipas tenderit të publikuar në Prokurimin Publik, kontratën e kishte fituar kompania A.L. Dushi SH.P.K.
Në fotografitë që kishte siguruar Demokracia.com, motra e Osmanit shihet nën shoqëri të afërt me Xhylizare Selimi-Dushi.
Po ashtu, me Selimi-Dushin ka fotografi të përbashkët edhe vetë presidentja Vjosa Osmani. Ato shihen duke pirë kafe e çaj nën shoqërinë e njëra-tjetrës.
Demokracia.com kishte raportuar se kompania e shoqes së Osmanit, A.L Dushi SH.P.K., do të përfitonte 6 mijë e 500 euro për këtë kontratë, vlera e të cilës ishte parashikuar për 9 mijë e 900 euro.
Sipas dosjes së tenderit, kompania që e ka fituar këtë tender do të bëjë dërgesat e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë, Amerikë, Kanada, Azi dhe Afrikë.
“Shërbime postare emergjente për nevojat e ZPRK-së. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë për 0-0.5 kg, sasia 100. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë për 0.6 -1 kg, sasia 20. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Amerikë – Kanada për 0-0.5 kg, sasia 80. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Amerikë-Kanada për 0.6 -1 kg, sasia 10. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Azi – Afrikë për 0-0.5 kg, sasia 20. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Azi – Afrikë për 0.6 -1 kg, sasia 8”, thuhet në dosje, raporton Demokracia.com.
Siç figuron në ARBK, biznesi me të cilin e ka fituar këtë tender, si veprimtari sekondare ka larjen (pastrim kimik) dhe tharjen e tekstileve dhe produkteve të gëzofit, ndërsa si veprimtari të tjera ka edhe rritjen e gjedheve për qumësht, rritjen e deleve dhe dhive, si dhe rritjen e kafshëve të tjera.
Nëse hulumtohet në rrjetet sociale për kompaninë fituese të tenderit nga Presidenca, del që A.L.Dushi SHPK rëndësi të madhe i jep pastrimit kimik. Aty nuk mund të gjendet diçka që ka të bëjë me shërbime postare.
“A.L.Dushi Pastrim Kimik & Lavanderi”, profili në Facebook, shfaq postime për larjen dhe pastrimin e rrobave, derisa aty shfaqet edhe pronarja Xhylizare Selimi-Dushi. Pronarja e A.L.Dushi SHPK flet për rëndësinë e pastrimit kimik në një publikim të bërë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), bankë kjo që e ka ndihmuar kompaninë e saj. /Demokracia.com/