Lajme
DOKUMENTE | “Lufta” për tenderin 250 mijë euro në ministrinë e Gërvallës ndërmjet motrës dhe shoqes së motrës së Vjosa Osmanit
Demokracia
10:53 | 28 Mars 2024

Share:

Një garë e ashpër po zhvillohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për një tender që ka të bëjë me dërgimin e materialeve të ndryshme në Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Kosovës nëpër shtete të botës dhe anasjelltas, shkruan Demokracia.com.

Për kontratën “Shërbimet Postare Diplomatike-RITENDER” është paraparë një shumë prej 250 mijë euro për tri vite ose 83.3 mijë euro në vit.

Në garë për t’i ofruar këto shërbime për MPJD-në janë dy kompani. Kompania “3 P shpk”, që drejtoreshë menaxhuese është Shqipe Dushi Peja dhe kompania “A.L. Dushi SH.P.K” me pronare Xhylizare Selimi-Dushi për të cilën Demokracia.com ka mësuar se është shoqe shumë e afërt e Blinera Osmanit, motrës së të parës së shtetit, por miqësi ka edhe me vetë presidenten Osmani.

Problemi është se tenderi ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe kompania “3 P shpk” e ka autorizuar që të bëjë ankesë në këtë organ ndaj ministrisë, Shoqërinë e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini, pjesë e së cilës është edhe motra e presidentes Osmani, Blinera Osmani, emri i së cilës si e angazhuar nga kompania “3 P shpk” ndodhet edhe në ankesën e ngritur në OSHP.

Tenderi ka përfunduar tek OSHP-ja për shkak se kompania që po përfaqësohet në “Gjykatën e tenderëve” edhe nga motra e presidentes, nuk është pajtuar që të shpërblehet me kontratë kompania e shoqes së motrës së presidentes Osmani.

Tenderin fillimisht e fitoi “3 P shpk”

Ky tender që peshon hiç më pak se 250 mijë euro ishte hapur më 24 nëntor 2023. Në garë kanë qenë vetëm dy kompanitë e lartpërmendura, të cilat kanë ofruar me çmim për njësi. “3 P shpk” kishte ofertuar me çmim dukshëm më të lirë për njësi ose fiks 233.4 euro, ndërsa “A.L. Dushi SH.P.K” me çmim për njësi 1,304.55 euro.

Pas vlerësimit të ofertave për kontratë është rekomanduar kompania “3P shpk”.

Menjëherë pas këtij vendimi, kërkesë për rishqyrtim ka paraqitur kompania “A.L. Dushi SH.P.K”, duke konsideruar se kompania e rekomanduar nuk ka plotësuar një varg të kërkesave. MPJD e ka miratuar këtë ankesë dhe e ka kthyer në rivlerësim tenderin. Kompania që ishte shpallur fituese herën e parë, tash është eliminuar për një varg arsyesh, të cilat prokurimi nuk i kishte vërejtur herën e parë dhe për kontratë më 13. 03. 2024 është rekomanduar kompania ankuese që ka pasur çmim disa herë më të shtrenjtë, shkruan Demokracia.com.

Me vendimin e ministrisë tash nuk është pajtuar kompania që ishte rekomanduar për kontratë herën e parë dhe ajo menjëherë ka paraqitur kërkesë për rishqyrtim, duke i ofruar faktet e veta tek ato pika për të cilat ishte eliminuar nga ministria. Demokracia.com ka gjetur se ministria nuk e ka trajtuar fare këtë ankesë. Pasi sipas tyre dokumenti i ankesës është ngarkuar në e-prokurim tek pjesa e dokumenteve shtesë, anise për këtë kompania ankuese ka shkruar se e kishte njoftuar AK-në se kishte bërë gabim në ngarkimin e dokumentit në e-prokurim dhe menjëherë të njëjtin e kishte ngarkuar si dokument të veçantë që kishte të bënte si kërkesë për rishqyrtim. Por, ministria nuk e ka trajtuar fare dhe kjo është arsyeja pse “3 P shpk” ka paraqitur ankesë në OSHP më 25 mars. Pretendimet e saj janë se ankesa është bërë me kohë, por ministria nuk ka vepruar konform ligjit që ta trajtojë atë. (Ankesa dhe ecuria e tenderit)

Tash “Gjykata e tenderëve” do të autorizojë ekspertin e vet shqyrtues për të shoshitur provat dhe më pas do të marrë vendim edhe paneli. Bazuar në ankesën e bërë, me të gjitha provat brenda saj, shihet se ministria nuk e ka trajtuar atë qëllimshëm dhe objektivisht OSHP-ja mund të marrë vendim në favor të saj, duke e rekomanduar që lënda të kthehet në rivlerësim.

Dy shoqet e duan të njëjtin tender

Blinera Osmani nuk ka të bëjë asgjë me kompaninë “3P”, e cila merret më shërbimet postare. Shoqërinë e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, pjesë e të cilës është edhe ajo e ka angazhuar kompania ankuese për përfaqësim ligjor në OSHP.

Nga ana tjetër, Demokracia.com kishte raportuar para dy viteve se Presidenca e Kosovës kishte nënshkruar kontratë për shërbime emergjente postare për nevojat e këtij institucioni. Sipas tenderit të publikuar në Prokurimin Publik, kontratën e kishte fituar kompania A.L. Dushi SH.P.K.

Pronare e kësaj kompanie është Xhylizare Selimi-Dushi për të cilën Demokracia.com ka mësuar se ajo është shoqe e afërt e Blinera Osmanit, motrës së të parës së shtetit, por miqësi ka edhe me vetë presidenten Osmani.

Në fotografitë që kishte siguruar Demokracia.com, motra e Osmanit shihet nën shoqëri të afërt me Xhylizare Selimi-Dushi.

Po ashtu, me Selimi-Dushin ka fotografi të përbashkët edhe vetë presidentja Vjosa Osmani. Ato shihen duke pirë kafe e çaj nën shoqërinë e njëra-tjetrës.

Demokracia.com kishte raportuar se kompania e shoqes së Osmanit, A.L Dushi SH.P.K., do të përfitonte 6 mijë e 500 euro për këtë kontratë, vlera e së cilës ishte parashikuar për 9 mijë e 900 euro.

Sipas dosjes së tenderit, kompania që e ka fituar këtë tender do të bëjë dërgesat e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë, Amerikë, Kanada, Azi dhe Afrikë.

“Shërbime postare emergjente për nevojat e ZPRK-së. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë për 0-0.5 kg, sasia 100. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë për 0.6 -1 kg, sasia 20. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Amerikë – Kanada për 0-0.5 kg, sasia 80. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Amerikë-Kanada për 0.6 -1 kg, sasia 10. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Azi – Afrikë për 0-0.5 kg, sasia 20. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Azi – Afrikë për 0.6 -1 kg, sasia 8”, thuhet në dosje, raporton Demokracia.com.

Siç figuron në ARBK, biznesi me të cilin e ka fituar këtë tender, si veprimtari sekondare ka larjen (pastrim kimik) dhe tharjen e tekstileve dhe produkteve të gëzofit, ndërsa si veprimtari të tjera ka edhe rritjen e gjedheve për qumësht, rritjen e deleve dhe dhive, si dhe rritjen e kafshëve të tjera.

Nëse hulumtohet në rrjetet sociale për kompaninë fituese të tenderit nga Presidenca, del që A.L.Dushi SHPK rëndësi të madhe i jep pastrimit kimik. Aty nuk mund të gjendet diçka që ka të bëjë me shërbime postare.

“A.L.Dushi Pastrim Kimik & Lavanderi”, profili në Facebook, shfaq postime për larjen dhe pastrimin e rrobave, derisa aty shfaqet edhe pronarja Xhylizare Selimi-Dushi. Pronarja e A.L.Dushi SHPK flet për rëndësinë e pastrimit kimik në një publikim të bërë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), bankë kjo që e ka ndihmuar kompaninë e saj. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

Të ngjashme