Lajme
Skadon afati, a do t’i hiqet licenca ElektroSeverit? Flasin nga ZRrE-ja
Demokracia
18:38 | 17 Tetor 2022

Share:

Licencën e mori, megjithatë, Elektrosever nuk e ka plotësuar asnjë nga detyrimet që ia cakton udhërrëfyesi për energji as pas 100 ditësh.

Skadimi i këtij afati të dielën i jep të drejtën ZRRE-s, që ashtu siç ia dha, edhe t`ia heq lejen kësaj kompanie.

Të pyetur nga Front Online, nga ky institucion thanë se do veprojnë në harmoni me pikën 8 të udhërrëfyesit.

“Zyra e Rregullatorit për Energji do të veprojë ne harmoni të plotë me obligimet që rrjedhin nga pika 8 e Udhërrëfyesi për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë”, thanë nga ky institucion për “Front Online”.

Pika tetë thotë se në rast se ElektroSever nuk i përmbush obligimet brenda tre muajve, ZRRE mund t`ia pezullojë ose heq krejt licencën për furnizim.

BE-ja, nëpërmjet Miroslav Lajçakut, ka thënë se nuk dëshiron që kjo të ndodh.

E para se Zyra e Rregullatorit të marrë ndonjë vendim, nga opozita po kërkojnë që Qeveria të dalë me një qëndrim.

“Në parim ligji është i qartë. ZRRE është përgjegjëse me e marrë këtë hap. Megjithatë duhet treguar një qëndrim zyrtar nga Qeveria, sepse ajo i ka udhëhequr negociatat. Çështja ka kaluar edhe në nivel politik”, theksoi deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Në mungesë të zbatimit të ujdisë banorët e veriut të vendit, s’do ta paguajnë rrymën të paktën edhe për një kohë.

Andaj Shala, që është anëtar i Komisionit për Ekonomi, ka një kërkesë për ekzekutivin.

“Qëndrimi i saj duhet të jetë që ta zbatojë ligjin, ta shtrijë sovranitetin në krejt territorin e vendit, edhe në aspektin e energjetikës. Definitivisht duhet të faturohen edhe qytetarët serbë në veri sa më shpejt”, potencoi Shala.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013.

Nënshkruesit e marrëveshjes kanë qenë ish-kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Kjo marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.

Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk është zbatuar asnjëherë.

Të ngjashme