Lajme
Sindikatat sot me grevë njëorëshe
Demokracia
07:45 | 12 Maj 2022

Share:

Mësimdhënësit sot në të gjithë vendin do të hyjnë në grevë njëorëshe, kësaj greve iu ka bashkëngjitur edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Mësimdhënësit sot në të gjithë vendin do të hyjnë në grevë njëorëshe.

Kështu ka njoftuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Çerdhet do të jenë në grevë nga ora 06:30-7:30, ndërsa shkollat fillore varësisht nga ndërrimet, ora e parë do të jetë grevë, kurse universitetet nga ora 10:00-11:00.

Sipas Sindikatës, orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen dhe nëse Qeveria e Kosovës nuk reagon atëherë nga SBASHK-u thonë se i qëndrojnë skenarit për të hyrë në grevë të përgjithshme.

Ndër kërkesa të tyre, mësimdhënësit por edhe punëtorët e sektorit publik, kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Rraham Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, në një deklaratë për KP ka thënë se greva e sotme është paralajmëruese, ndërsa ka shtuar që më 20 maj do të ketë një protestë të të gjithë punëtorëve të sektorit publik.

“Duke e parë që nuk ka pas asnjë lëvizje konkrete, asnjë takim konkret, asnjë veprim i duhur i Qeverisë, këshilli drejtues (i SBASHK-ut) aprovoi vendimin edhe një herë të Kongresit dhe vendosi që më 12 maj të jetë një grevë paralajmëruese njëorëshe në terë sistemin arsimor. Por, në këtë grevën njëorëshe kemi informacione se do të jenë edhe sektorët e tjerë dhe sindikatat që janë pjesë e BSPK-së. Ndërsa sa i takon sektorit të arsimit, ne e kemi bërë edhe planin, orarin.

Marrëveshjet me çerdhet, kanë thënë që meqenëse në Prishtinë fillojnë punën në 06:30, do të jenë në grevë nga 06:30 deri në 07:30 të enjten dhe pastaj do të vazhdojnë punën në kushte normale. Shkollat fillore dhe të mesme, varësisht a fillojnë në 07:30 apo në 08:00, dihet që ora e parë e mësimit paradite dhe pasdite do të jenë në grevë, kurse në marrëveshje me universitetet tjera të Republikës së Kosovës janë marrë vesh që greva njëorëshe të jetë të enjten nga ora 10:00 deri në 11:00, me arsyetimin se në atë kohë ka lëvizje më të mëdha sepse universitetet po duan të tregojnë, të hetohet që ka grevë”, deklaroi Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut u shpreh se nëse Qeveria e Kosovës vazhdon të mos plotësojë kërkesat e tyre edhe pas 20 majit, atëherë do të detyrohen të hyjnë në grevë në deri në realizimin e tyre.

Jasharaj ka kërkuar prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe dhe shkolla me një orë vonesë për hir të sigurisë së nxënësve.

Gjithashtu edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka paralajmëruar grevë njëorëshe në të gjitha institucionet.

Përmes kësaj greve sindikalistët kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që t’i plotësojë kërkesat e tyre për ndarjen nga 100 euro çdo muaj për të gjithë punëtorët në sektorin publik deri në miratimin e ligjit për paga, në të kundërtën ata paralajmërojnë që pas 20 majit do të detyrohen të hyjnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Por nëse nuk veprohet dhe ofrohet dialogu i duhur social nga partneri social – Qeveria, atëherë më 20 maj 2022 do të mbahet protestë gjithëpërfshirëse e cila i paraprinë grevës së plotë në nivel vendi, deklaroi Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së.

Të ngjashme