Lajme
“Sille një ligj për masazhin, jo për Trustin”| Kurti ishte paraqitur para ekspertëve shëndetësorë më ekspert se vetë ata
Demokracia
18:29 | 23 Qershor 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti sot derisa e kundërshtonte projektligjin për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, duke tentuar të ironizojë me propozimin e PDK-së për tërheqjen e mjeteve të Trustit, e ka ofenduar deputetin Bekim Haxhiu, i cili ishte edhe iniciues i kësaj nisme, raporton Demokracia.com.

“Sille një ligj për masazhin”, i tha ai deputetit Haxhiu.

Por, Albin Kurti së fundmi duket që ka harruar çdo gjë që e ka thënë dhe e ka bërë vetë, shkruan Demokracia.com.

Kurti që herë shfaqet si politikan, herë si ekspert i rrymës, nuk kishte sesi të mos sillej edhe si shkencëtar gjatë kohës kur ishte rritur shumë numri i qytetarëve të prekur me Covid-19.

Kur vala e variantit “Delta” e përfshiu Kosovën, në fund të gushtit të vitit të kaluar, Kurti e kishte thirrur mbledhjen e parë të Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me pandeminë Covid-19, ku merrnin pjesë ekspertët me eminentë që kishte vendi.

As aty kryeministri nuk e lëshoi rastin për të treguar se ai tashmë e kishte ‘përsosur’ zanatin e infektologut.

“Së pari, varianti Delta karakterizohet nga një numër riprodhues jashtëzakonisht i lartë: Çdo person i infektuar me këtë variant infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë”, kishte thënë “infektologu” Kurti, shkruan Demokracia.com.

Ai që sot kritikoi mjekun që u mor me çështje jo-shëndetësore shkoi edhe më larg me shpjegimet e ekspertizat e tij.

“Së dyti, varianti Delta ka një interval serial jashtëzakonisht të shkurtër: Çdo person i infektuar, personat e tjerë i infekton vetëm 2.5 ditë (mesatarisht) pasi është infektuar vetë. Vetëm 2.5 ditë! Kjo do të thotë se varianti Delta përhapet si zjarr. Çdo 2.5 ditë, shumëfishohet numri i të infektuarve. Për 5 ditë, nga një person mund të infektohen deri në 56 të tjerë”, vazhdonte kryeministri Kurti.

Ai këtë ligjëratë e kishte mbajtur para fytyrës së mikrobiologut me renome ndërkombëtare, Lul Rakës; drejtorit të IKShPK-së, Naser Ramadani, drejtorit të QKUK-së, Valbon Krasniqi, si dhe shumë mjekëve të tjerë.

Ndonëse pandemia kishte kapluar botën, ky ishte një prej rasteve të rralla kur një politikan u ligjëronte mjekëve për viruset.

Në kohën kur ky e mbante këtë leksion, Delta në Kosovë vriste 30-40 persona në ditë dhe infektonte me mijëra të tjerë./Demokracia.com/

Të ngjashme