Lajme
“Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevojë”, Kurti dhe Hovenier nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar
Demokracia
16:00 | 24 Gusht 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, kanë nënshkruar marrëveshje mbi masat e sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar.

Kurti tha se koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyes i qeverisjes së përgjegjshme.

“Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevojë. Ajo përkthehet në vullnetin dhe obligimin e qeverisë të merr vendime me të cilat garantohet pavarësia, sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit. Mbrojtja e tillë e informacionit parashihet me ligj dhe siguron mbrojtje përderisa interesi kombëtar dikton një gjë të tillë”, tha Kurti.

Ai shtoi se kjo marrëveshje parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes së tij në raport me palët e autorizuara.

Ambasadori Jeff Hovenier gjatë takimit theksoi se me këtë marrëveshje SHBA për Kosovën ka marrë detyrimin për mbrojtjen dhe shkëmbimin e informatave të klasifikuara.

“Aftësia që partnerët të shkëmbejnë informata shpejtë dhe pa pengesa është jetike, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Përmbyllja e kësaj marrëveshje është e rëndësishme sepse shënon kulmin e më shumë se 2 viteve të negociatave por përfaqëson edhe arsyetimin e fuqishëm të SHBA-së për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën në fushën e sigurisë”, deklaroi Hovenier.

Ambasadori amerikan tutje tha se qëndrojnë të palëkundur për respektimin e sovranitetit të Kosovës. Ai tha se synim të përbashkët me Qeverinë kanë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, specifikisht në organet e sigurisë.

“Kjo marrëveshje gjithashtu avancon qëllimin tonë të përbashkët për zhvillimin e suksesshëm të FSK-së në forcë të mbrojtjes territoriale, profesionale. Sot gjithashtu shënojmë ditën kombëtare të Ukrainës, kjo marrëveshje është gjithashtu e përshtatshme në kontekstin më të gjerë të luftës brutale të Putinit ndaj Ukrainës”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme