Lajme
“Si vëlla të ndihmoj privatisht, jo si kryeministër”, koha kur Kurti tallej me mësimdhënësit
Demokracia
18:23 | 07 Mars 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti sot me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, është vetëlavdëruar duke thënë se Qeveria e tij po ua kthen dinjitetin mësimdhënësve, ndonëse ata janë të pakënaqur me pagën që ekzekutivi e paraqiti si rritje.

Duke ua uruar Ditën e Mësuesit të gjithë mësimdhënësve, Kurti tha se historikisht tek populli ynë angazhimi për arsimimin dhe edukimin shqip në njërën anë dhe beteja për liri kombëtare, në anën tjetër, nuk kanë qenë asnjëherë të ndara.

“Jemi të përkushtuar për shkollën, nxënësit dhe mësuesit, atyre po ua kthejmë dinjitetin, shkollës po ia kthejmë cilësinë”, tha mes tjerash Kurti, përcjell Demokracia.com.

Por, vetëm pak muaj më parë, nën qeverisjen e tij ndodhi greva më e gjatë e mësimdhënësve të Kosovës.

Ata kërkuan rritje page, duke mos mbajtur mësim, por gjatë gjithë shtatorit 2022, Albin Kurti, ministrat dhe përkrahësit e tij i fyen mësimdhënësit dhe u tallën me ta.

Madje, Kurti që sot po pretendon se ua ka kthyer dinjitetin mësimdhënësve, kërkesat e tyre për rritje page i quante iracionale.

“Njerëzit duhet të paguhen për punën që e bëjnë sipas meritës… kërkesat që njerëzit të paguhen për punën që nuk e bëjnë janë kthim i avazit të vjetër”, thoshte Kurti.

Sipas tij, kërkesat sindikale dhe greva si instrument nuk duhet të dalin përtej racionales, nuk duhet të jenë të palogjikshme.

“Sepse, kur dikush thotë duhet të ma rrisësh pagën 100 euro, pyetja është pse jo 300 euro? Planifikimet financiare shtetërore nuk bëhen në mënyrë të papërgjegjshme. Kërkesat iracionale nuk mund të hasin në mirëkuptimin tonë”, kishte thënë ai.

Kurti që sot foli vetëm fjalë të mira për mësuesit, gjatë grevës, pas një takimi me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharajn, e tallte atë duke thënë se i ishte lutur si vëlla.

“Si vëlla të ndihmoj privatisht, jo si kryeministër. Kryeministri nuk bën pazare”, kishte thënë Kurti.

Ai atëherë thoshte se pas kërkesës për rritje të pagave fshihej diçka tjetër dhe nuk ishte në pyetje arsimi.

“Një sindikatë që i kërkon 100 euro dhe i ka marrë 50 euro, organizon festë, nuk vazhdon grevë. Në ditët e javët në vijim do ta marrim vesh se çka është në pyetje. Nuk është në pyetje arsimi, nuk janë në pyetje arsimtarët. Tha do të konsultohem me anëtarësinë dhe doli para juve”, u shpreh Kurti.

Pas kësaj u deklarua edhe Jasharaj, i cili tha se njerëzit po e tallnin me fjalën “vëlla”.

Jasharaj deklaroi se do të shkojë në varr edhe si hero i kohës.

“Po më vjen mirë që edhe kur të vdes do të mbesin disa fjalë të mia. Dhe po e shoh tash në qytet, njerëzit po bëjnë hajgare me fjalën ‘vëlla’, ‘mos më thuaj vëlla’. Ja arritja e kryeministrit Kurti, që ta bëjë të vlefshme fjalën vëlla. Dhe besoni duke më sulmuar pa dashur, po më bëni hero të kohës, të cilën nuk e kam dashur. Por, faleminderit, do të shkoj në varr si hero i kohës së shekullit 21 dhe kohës kur kryeministër ishte Albin Kurti”, kishte shtuar Jasharaj./ Demokracia.com/

 

Të ngjashme