Lajme
Si u mbulua nga myku QMF në Gjilan katër muaj pas përurimit nga Hyseni? Nga Komuna thonë se është vendosur që hapësira të mos shfrytëzohet
Demokracia
17:03 | 14 Shkurt 2024

Share:

Në tetor të vitit 2023 , kryetari i Gjilanit kishte përuruar ambulanten në lagjen Arbëria. Por, vetëm katër muaj pas, atje është krijuar një gjendje e mjerueshme. Në pamjet të cilat kishte publikuar Insajderi disa ditë më parë shihej se aty muret janë mykur. Ndërsa tashmë është vendosur që hapësira të mos shfrytëzohet.

Me 6 tetor të vitit të kaluar , kryetari i Gjilanit ka përuruar ambulanten në lagjen Arbëria, por sot një hapësirë aty është e pashfrytëzueshme.

Sektori i stomatologjisë është mbuluar nga myku.

Lidhur me këtë nga Komuna e Gjilanit, kanë bërë të ditur se kompanisë përgjegjëse i është dërguar vërejtje.

Doruntina Hasani, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, tha se kompania në fjalë është paralajmëruar se në rast të mos veprimit do i ndalet garancioni prej 5%.

Lidhur me çështjen që keni ngritur, ju njoftojmë se operatorit ekonomik tanimë i është dërguar vërejtja përfundimtare për sanimin e të gjitha problemeve të shfaqura në objektin e QMF-së në Gjilan. Përmes organizatës e cila ka bashkëfinancuar ndërtimin e këtij objekti shëndetësor, operatori ekonomik është paralajmëruar se në rast të mos veprimit, do të ndalet garancioni në lartësi prej 5%  të vlerës së përgjithshme të kontratës dhe do të obligohemi të kontraktojmë një palë të tretë për të zgjidhur këtë problem“, tha ajo.

Teksa bëri të ditur se është themeluar edhe një komision dhe është vendosur që hapësira në fjalë të mos shfrytëzohet.

Gjithashtu, përmes Drejtorisë së Urbanizmit, është themeluar një komision i përbërë nga profesionistë të fushës të cilët me prioritet kanë trajtuar rastin në fjalë duke evidentuar problematikën e krijuar dhe dhënë rekomandimet se si duhet vepruar në vijim. Bazuar në këto rekomandime, nga menaxhmenti i QKMF-së, është kërkuar që hapësira në fjalë të mos shfrytëzohet deri në përmirësimin e gjendjes“, tha Hasani.

Alban Hyseni përmes një postimi në “Facebook” me 6 tetor i kishte dhënë jehonë përurimit të ambulantes në lagjen Arbëria.

Ai kishte ndarë edhe pamje brenda kësaj hapësirë.

Por, vetëm katër muaj pas gjendja aty ka ndryshuar. Në disa foto shihet se kjo ambulantë është në gjendje të mjerueshme.

Madje muret janë mbuluar pothuajse krejtësisht nga myki.

Të ngjashme