Lajme
“Si mund të kërkojmë më shumë angazhim nga Brukseli, një prokuror po na mban prapa”, Bislimi sulmon prokurorin Naim Abazi për Banjën
Demokracia
23:41 | 19 Shkurt 2024

Share:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka hedhur akuza ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale, Naim Abazi, i cili është duke u marrë me rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Si mund të kërkoj unë angazhim më të madh nga Brukseli kur ky angazhim mungon në Prishtinë. Prokuroria në Kosovës hesht dhe nuk thotë ‘na e ekstradoni Radojiçiç sepse koha po shkon’ dhe sa më shumë që rri ai në Kopaonik, ka rrezik për sulm”, tha Bislimi në një intervistë në KTV ditë më parë.

“Një prokuror i cili është dashur të na paraprijë neve me argumente, po na mban prapa, s’po hap rrugë për të thënë se hetimet kanë përfunduar”, shtoi.

Bislimi ka theksuar se Qeveria i ka përfunduar hetimet, derisa ka potencuar se hetimet i ka përfunduar edhe një vend mik e shumë i fuqishëm.

“Është një lutje e imja që ta kryej punën e tij prokurori. Ne kemi argumentuar dhe nuk ka asnjë dilemë për këtë, gjurmët qojnë deri te Vuçiçi. Nuk ka kurrfarë dileme për atë se çka ka ndodh në Banjë, ka vetëm spekulime se për çfarë ka qenë qëllimi i Serbisë”.

Pos, kriminelit Radojeçiç, ai ka potencuar se kërkesë për ekstradim duhet t’i bëhet edhe ish-shefit të BIA-serbe, Aleksandër Vulin, nëse nga hetimet e Prokurorisë del se ka qenë i përfshirë.

“Ne do të ekstradojmë Radojiçiç-in, nëse ke nxjerr përfundime se është edhe Vulin, atëherë edhe ekstradimi i Vulinit e pastaj ne të kërkojmë hapa ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Ndërkaq gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, një burim nga Prokuroria Speciale pati treguar për Albanian Post se shumica e terroristëve që sulmuan Kosovën me 24 shtator tashmë janë identifikuar.

“Po, shumica prej tyre janë identifikuar”, tha burimi, derisa konfirmoi se hetimi akoma po vazhdon dhe nuk është përmbyllur për dosje përfundimtare, përkundër se ka kaluar më shumë se një muaj nga sulmi.

“Ne jemi duke vazhduar çdo ditë hetimin për këtë rast dhe identifikimin e personave që kanë marrë pjesë në sulmin terrorist, përmes gjurmëve që janë lënë aty. Çdo ditë po dalin persona të rijnë që janë përfshirë aty”, kishte treguar burimi i Prokurorisë.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur më 24 shtator të vitit të kaluar ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku. Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kishte arritur që pas sulmit terrorist të arratisej në Serbi.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Organizata ndërkombëtare policore “INTERPOL”, ka lëshuar një urdhër-arrest për kryekriminelin Milan Radoijçiç dhe 11 persona të tjerë për sulmin terrorist në Banjë.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Në fillim të këtij viti, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka njoftuar se është ende duke e hetuar sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit.

Të ngjashme