Lajme
DOKUMENTE: Shtyhet ndërtimi i shkollës 3-milionëshe në Podujevë, komuna bëri dallavere në tender
Demokracia
17:30 | 18 Tetor 2023

Share:

Komunës së Podujevës, e cila udhëhiqet nga kryetari Shpejtim Bulliqi, nuk i doli mirë planifikimi që në këtë vit të nisë ndërtimin e shkollës së re ekonomike, pasi ajo e vjetra nuk po i plotëson kushtet. Kjo për shkak se vetë komuna planifikoi që ndërtimin ta bëjë një grup i kompanive, duke e shpallur fituesin kundërligjshëm. Tash që disa muaj procesi ka ngecur në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Paneli i këtij institucioni nuk po mblidhet të shqyrtojë raportin e ekspertit të tyre, i cili gjeti shkelje nga ana e komunës kur rekomandoi për kontratë një konzorcium të kompanive, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Podujevës kishte planifikuar në këtë vit të nisë ndërtimin e objektit të ri të Shkollës Ekonomike “Isa Boletini”. Ky projekt, sipas komunës, pritet të kushtojë rreth 2 milionë euro, ku pjesën dërmuese të parave do ta sigurojë Ministria e Arsimit.

Për ta jetësuar këtë projekt, prokurimi komunal më 25 prill kishte hapur tender.

Aty garuan 9 kompani dhe grupe kompanish. Ndonëse kishte disa kompani garuese që ishin shumë më të lira, ato u konsideruan që nuk i plotësuan kushtet dhe fitues u zgjodh grupi “Konstruktori ING 1969” & “Flori eng” NGA Prishtina, me vlerë të ofertës 2, 565, 696. 26 euro.

Me vendimin e komunës nuk është pajtuar grupi “Ard 94” shpk “Condor”, i cili ishte rreth 100 mijë euro më i lirë, shkruan Demokracia.com.

Ankesën e këtij grupi e ka hedhur poshtë komuna, duke e lënë në fuqi vendimin e vet. Më pas të njëjtit janë ankuar edhe në OSHP, duke pretenduar se komuna i eliminoi pa të drejtë dhe se grupi i rekomanduar nuk i plotësonte disa nga pikat. Ky institucion ka rekomanduar ekspertin e vet për t’i shoshitur provat.

Pasi e ka shikuar të gjithë situatën, në raportin e ekspertit që e ka parë Demokracia.com, është kërkuar nga komuna që të anulohet vendimi për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim, pasi që janë gjetur shkelje. Madje, eksperti ka gjetur se në të gjitha pikat ku komuna e kishte rrëzuar kompaninë 100 mijë euro më të lirë, ishte e përgjegjshme.

Ndonëse eksperti e ka marrë vendimin që mbi një muaj e gjysmë, paneli i këtij institucioni ende nuk është mbledhur për të dhënë fjalën përfundimtare, në të cilën rëndom e miratojnë raportin e ekspertit të tyre.

Çka gjeti eksperti?

Pretendimi i parë: Grupi i OE i shpallur fitues ka mbuluar të tri këto pozita me vetëm një person, siç është Muhamet Hamiti: “Bazuar në formën e kërkesës së parashtruar në dosjen e tenderit dhe bazuar edhe në dispozitat ligjore të LPP-së kjo formë e plotësimit të kërkesave të AK-së nuk është e lejuar andaj realisht Grupi i OE ka dështuar plotësimin e dy nga tre kërkesat e paraqitura më lartë dhe si i tillë do duhej konsideruar i papërgjegjshëm. Shto këtu faktin se i njëjti e ka bërë edhe certifikimin e kompanisë për siguri dhe shëndet në punë, ku kjo e bënë edhe më të pamundur përdorimin e një personi për mbulim të pozitave në fjalë.

Eksperti shqyrtues pas analizimit dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës sqaron se në ofertën e OE të rekomanduarit gjendet personi z. Muhamet Hamiti në tri kontrata mbi vepër për tri pozita të ndryshme, derisa në DT, AK ka kërkuar për secilën pozitë një ekspert, meqenëse punimet do të zhvillohen në të njëjtin vend mendoj se AK gjatë procesit të rivlerësimit duhet të kërkoj sqarime nga njësia kërkuese, e cila mund të ia konfirmojë nëse mund të përmbushet kërkesa me një ekspert për tri fusha, pasi që kjo pozitë nuk është mirëmbajtje, e cila kërkon punë 8-orëshe dhe si i tillë pretendimi gjendet pjesërisht i bazuar.

Kërkesa e AK-së në DT është:

Pretendimi i dytë:

Ky grup i OE ka paraqitur lista të projekteve të realizuara në tre vitet e shkuara, por nuk ka arritur të dëshmojë me referenca se projektet e tilla janë realizuar në mënyrë të kënaqshme dhe kanë përfunduar.

Sipas kërkesës së AK shihet se Grupi i OE i shpallur fitues ka dështuar t’ia bashkëngjisë referencat listave të dorëzuara dhe rrjedhimisht nuk ka arritur të dëshmoi vlerën e projekteve të realizuara prej 3.000.000,00€. Dëshmitë e dorëzuara janë kontrata dhe raporte preliminare që nuk pranohen si referenca të rregullta, ka projekt që është kryer pasi është publikuar njoftimi për kontratë, si dhe mungesë të referencave për shumicën e projekteve të paraqitura në listë. Projektet që janë të dëshmuara me referenca të rregullta nuk e arrijnë shumën e projekteve të kërkuara nga AK, andaj ky Grup i OE është dashur të cilësohet i papërgjegjshëm, përcjell Demokracia.com.

Eksperti shqyrtues sa i përket pretendimit të dytë lidhur me listën e projekteve sqaron se në ofertën e OE të rekomanduarit gjendet lista e projekteve, e cila listë shumicën e tyre i ka të dëshmuara me kontrata dhe referenca, mirëpo AK në DT ka kërkuar që lista të dëshmohet me referenca dhe çertifikata për përfundimin e punëve, andaj AK gjatë procesit të rivlerësimit konform nenit 72 të LPP-së mund të kërkojë sqarime shtesë lidhur me listën e projekteve, pra dëshmitë referencat/ çertifikatat e pranimit të cilat tregojnë se janë të përfunduara punët dhe si i tillë pretendimi i OE ankues gjendet pjesërisht i bazuar.

 

Eksperti, po ashtu, ka gjetur se sa i përket pretendimit lidhur me pajisjet Fiat Hitachi, në ofertën e OE të rekomanduarit gjendet DUD-i, i cili është në emër të blerësit dhe shitësit “Konstruktori”. Po ashtu, pretendimi lidhur me faturën 200103/2000, në ofertë gjendet fatura e njëjtë me emër të kompanisë “Konstruktori”, kurse pretendimet lidhur me pajisjet të cilat mungojnë, eksperti mendon se prokurimi konform nenit 72 të LPP-së, gjatë procesit të rivlerësimit mund të kërkojë sqarime për pajisjet që janë të specifikuara në Aneks 7, të cilat nuk janë të dëshmuara. Andaj pretendimi i OE ankues gjendet pjesërisht i bazuar.

“Si përfundim, aktiviteti i prokurimit i lartpërmendur pas analizimit, krahasimit dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, konsideroj se duhet të kthehet në rivlerësim, duke e rekomanduar autoritetin kontraktues që ekzaminimin, analizimin dhe krahasimin e ofertave të bëjë konform LPP-së dhe Rrpp-së. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa
e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, ka shkruar eksperti në fjalën përfundimtare.

Aktualisht, ky aktivitet i prokurimit është i pezulluar deri sa Paneli i OSHP-së të marrë vendim.

Por, ajo që shihet është se ndërtimi i objektit nuk do të fillojë deri në pranverën e vitit 2024. /Demokracia.com/

Të ngjashme