Lajme
Shtrenjtimi i rrymës, ZRRE-ja mori parasysh rekomandimet e ministres së Kurtit dhe Vetëvendosjes
Demokracia
14:37 | 08 Shkurt 2022

Share:

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) sot unanimisht ka miratuar vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak që shpenzojnë rrymë mbi 800 kilovatë.

Sipas kryetarit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë do të paguajnë më shumë nga nesër 12.5 centë për kilovat për tarifën e ditës dhe 6 centë për tarifën e ulët.

Kreu i ZRRE-së duke treguar se kanë zhvendosur bllok tarifën e propozuar nga 600 në 800 kilovatë dhe nuk do jetë e aplikueshme për bizneset, theksoi se për konsumatorët shtëpiak që shpenzojnë deri 800 kilovat shtrenjtimi do të jetë 7 cent për tarifën e ditës dhe 3 cent për tarifën e natës, të cilën tarifë do ta mbulojë subvencionimi i paraparë nga Qeveria, shkruan Demokracia.com.

Nga vendimi i ZRRE-së del se janë marrë parasysh rekomandimet e dërguara nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe rekomandimet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ministria e Ekonomisë e udhëhequr nga ministrja e Kurtit, Artane Rizvanolli, i kishte propozuar ZRRE-së, ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh në 800 kWh.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Abin Kurti, i kishte rekomanduar ZRRE-së që nivelin e propozuar nga 600kWh/muaj ta ngrisë në nivelin 800kWh/muaj.

Kurse, Ministria e Financave e udhëhequr nga Hekuran Murati, kishte propozuar që të ngritët pragu i bllokut të parë në 1,000 kWh.

Kujtojmë që pavarësisht se janë pjesë e Qeverisë vartësitë e Kurtit secili krye në veti i kishte dërguar rekomandime ZRRE-së që tregonte një mungesë totale të koordinimit.

Ndryshe, bordi ZRRE sot unanimisht ka miratuar vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak që shpenzojnë rrymë mbi 800 kilovatë.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së tha se në bazë të kalkulimeve, konsumatorët që shpenzojnë deri 1000 kilovatë shtrenjtimi do të jetë rreth 10 euro.

Ai po ashtu tregoi se kur do të nisin të aplikohen tarifat e reja për konsumatorët shtëpiak.

“Në bazë të kalkulimeve, ne e kemi prezantuar edhe në raport, ata që konsumojnë deri në 1000 kilovat energji elektrike do të ketë një rritje rreth 10 euro gjatë një muaji në vijim, mesatarisht. Kjo varet edhe prej konsumatorëve se sa konsumojnë ditën dhe natën energji elektrike. Mirëpo, ne kemi theksuar që kjo varet prej secilit konsumatorë… Vendimi do të aplikohet prej nesër ku do të hynë fuqi. Konsumatorët deri më këtë datë do të faturohen me tarifa ekzistuese, ndërsa prej nesër, datë 9 shkurt do të faturohen me tarifat e reja për bllokun mbi 800. Sipas vendimit këto tarifa do të mbesin në fuqi deri 31 mars 2023 kur është shqyrtimi i rregullt tarifor ashtu siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi”, u shpreh ai.

Fejzullahu në fund tha se palët e pakënaqura mund të ankohen në gjykatë, dhe siç tha ai, do ta shqyrtojnë çdo vendim që del nga këto institucione të drejtësisë.

“Edhe këshilla juridike do të jetë në vendim që secila palë ka të drejtë që vendimet e ZRRE-së me i kontestuar në gjykatë dhe në bazë të vendimit përfundimtar të gjykatës, ne do të marrim hapa të mëtutjeshëm. Por për të gjithë ata që nuk janë të kënaqur me këtë vendim të bordit të ZRRE-së kanë të drejtë që të apelojnë në gjykatat kompetente në Kosovë”, tha ai.

Ndryshe, që nga viti 2017 nuk ka pasur bllok tarifa për ekonomitë familjare./ Demokracia.com/

Të ngjashme