Lajme
Shteti ua paguan qytetarëve trajtimin te privati për shërbimet që s’i ofron ShSKUK-ja
Demokracia
17:49 | 06 Shtator 2023

Share:

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për trajtimin mjekësor jashtë institucioneve publike.

Në këtë UA thuhet se janë përditësuar dhe avancuar rregullat dhe procedurat nëpërmjet të cilave Qeveria e do të përkrahë financiarisht qytetarët për shërbime shëndetësore të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore.

Poashtu përmes këtij udhëzimi administrativ, thuhet se gjithsecili qytetar i Kosovës gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri në 30,000 euro brenda një viti për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

“Personat me status të invalidit të luftës, anëtarët e ngushtë të familjes së dëshmorëve, viktimat civile të luftës do të kompensohen në shumën maksimale, 100%, të vlerës së faturës. Gjithashtu, njëjtë do të përfitojnë edhe personat deri në 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që janë përfitues të ndihmës sociale. Personat mbi moshën 18 vjeç kompensohen me 70% të vlerës së çmimit referent apo mesatares së çmimit të tri profaturave për trajtim mjekësor. Ndërsa, për personat e diagnostikuar me sëmundje malinje mbi moshën 18 vjeçare është rritur vlera e kompensimit”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Udhëzimi Administrativ ka thjeshtuar edhe procedurat e aplikimit për qytetarët, ndërsa thuhet se referimi dhe përgjegjësia do të jetë tek profesionistët shëndetësor kompetent të cilët rekomandojnë trajtimin jashtë vendit.

Të ngjashme