Lajme
Shtëpia e Bardhë: Rusia po përgatitet referendume ‘të rreme’ në disa territore ukrainase, pastaj t’i aneksojë
Demokracia
11:58 | 20 Korrik 2022

Share:

Rusia po përgatitet që të aneksojë më shumë territor ukrainas dhe po instalon liderë “të paligjshëm” në zonat që ka nën kontroll, tha Shtëpia e Bardhë më 19 korrik.

John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë se Rusia po planifikon që të organizojë “referendume të rreme” në zonat që ka pushtuar më së afërmi në shtator. Ai, po ashtu, tha se Moska po përgatitet që rubla ruse të përdoret si monedhë dhe t’i detyrojë banorët që të aplikojnë për shtetësi.

Rusia gjithashtu po tenton që të marrë kontrollin e kullave transmetuese, tha Kirby, duke shtuar se këto janë vlerësimet e inteligjencës amerikane.

“Rusia ka nisur që të nxjerrë versionin e saj, të atij që e quan libër të aneksimit, shumë të ngjashëm me atë që pamë më 2014” kur pushtoi dhe më pas aneksoi Krimenë, tha Kirby.

“Rusia veçse ka nisur që të instalojë zyrtarë të paligjshëm në zonat në Ukrainë që i ka nën kontroll”, shtoi ai.

Zonat që janë në shënjestër të aneksimit përfshijnë Hersonin, Zaporizhjan dhe të gjithë Donjeckun dhe Luhanskun.

“Aneksimi me forcë do të ishte një shkelje e rëndë e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe ne nuk do të lejojmë që një gjë e tillë të mbetet e pandëshkuar”, tha Kirby.

Një raport i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i publikuar javën e kaluar, tha se Rusia po i detyron qytetarët ukrainas që të pranojnë pasaporta ruse.

Kirby tha se po bën të ditur sërish planet ruse “në mënyrë që bota ta di se çdo aneksim i mundshëm është i paramenduar, ilegal dhe jolegjitim”.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha se SHBA-ja do të përgjigjet ndaj veprimeve të Rusisë “menjëherë dhe ashpër, në koordinim me aleatët dhe partnerët tanë”. Përgjigja përfshin sanksione ndaj “liderëve jolegjitimë” të emëruar nga Rusia, tha ai.

Ai po ashtu paralajmëroi se SHBA-ja do të prezantojë në ditët në vijim paketën e re me armë për Ukrainën, që pritet të përfshijë më shumë sisteme HIMARS./REL

Të ngjashme