Lajme
Shtëpi, toka e vetura të shtrenjta| Zyrtarit të LVV-së që ka mbi 1 milionë dollarë nëpër banka do t’i hetohet pasuria
Demokracia
12:54 | 25 Qershor 2022

Share:

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjdhjeve (KQZ), Alim Rama është një prej zyrtarëve publikë më të pasur në Kosovë.

Ai në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar një pasuri marramendëse, që arrin edhe shifrën milionëshe, raporton Demokracia.com.

Sidoqoftë, Demokracia.com ka mësuar se kjo pasuri do t’i hetohet Ramës nga AKK-ja pas hedhjes së shortit, ku ai figuron në mesin e 20 për qind të zyrtarëve që e kanë deklaruar atë.

Alim Rama në AKK ka shtëpi në Prishtinë me vlerë 250 mijë euro si pasuri e përbashkët.

Po ashtu ai ka deklaruar një tokë mbi 27 ari me vlerë 61 mijë euro.

Alim Rama po ashtu ka deklaruar edhe dy banesa të përbashkëta, njëra me vlerë 47 mijë euro dhe tjetra 53 mijë euro.

Rama e ka deklaruar edhe një tokë tjetër me 20 ari me vlerë 30 mijë euro, raporton Demokracia.com.

Rama po ashtu ka deklaruar se ka një veturë Volvo XC60 të cilën e ka blerë në vitin 2019 me vlerë 48 mijë euro.

Po ashtu ai deklaruar edhe veturën e bashkëshortes me vlerë 7 mijë euro, e blerë në vitin 2014.

Përfaqësuesi i VV-së në KQZ ka deklaruar në AKK se posedon certifikatë aksionesh nga Banka (UNFCU) në vlerë 200 mijë dollarë amerikan nga kursimet.

Rama ka deklaruar se ka edhe shumë para të gatshme nëpër banka.

Ai ka deklaruar se në BKT ka 10 mijë e 578 euro. PO ashtu në BKT ai ka edhe 424 mijë e 697 mijë dollarë amerikan, raporton Demokracia.com.

Në United Nations Federal Credit Union, Rama ka deklaruar se ka 558 mijë e 773 dollarë.

Rama në ProCredit në llogari të tij ka 271 mijë e 727 mijë dollarë dhe 11 mijë e 367 dollarë të bashkëshortes.

Pasaniku që mbron votën e Vetëvendosjes ka deklaruar se merr pagë vjetore nga KQZ 13 mijë e 821 euro.

Ai ka deklaruar se ka marrë për shpenzime për udhëtime zyrtare edhe 1 mijë e 25 euro nga KQZ-ja.

Rama ka deklaruar se nga viti 2009 e deri në fund të vitit 2019 ka punuar si staf ndërkombëtar në UNDP në Afganistan në pozita të larta udhëheqëse dhe ka pasur të ardhura vjetore mbi 175 mijë dollarë./Demokracia.com/

 

Të ngjashme