Lajme
Shqipërinë e kanë vizituar 9.5 milionë shtetas të huaj, deri në nëntor
Demokracia
15:43 | 09 Dhjetor 2023

Share:

Duket tashmë e paevitueshme, se Shqipërinë do ta vizitojnë 10 milionë turistë në vitin 2023.

Me përditësimin e fundit të shifrave për nëntorin, rezulton se në vend ka pasur në 11 muaj, 9.538 milionë vizitorë të huaj, duke shënuar kështu një rekord historik.

Vetëm gjatë nëntorit, Shqipëria ka parë të hyjnë në territor 547 mijë turistë, duke reflektuar kështu se nuk bëhet fjalë tashmë vetëm për turizëm veror, por gjatë gjithë rrjedhës së vitit.

Lajmin e ka bërë me dije Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter.

Kështu, nëse 450 mijë turistë të tjerë të huaj e vizitojnë Shqipërinë në dhjetor, kapet edhe numri prej 10 milionë turistësh të huaj brenda vitit.

Vetëm në tetor e kanë vizituar Shqipërinë 1 milion e 256 mijë e 554 persona dhe prej tyre, 691 mijë e 680 janë shtetas të huaj.

Kjo shënon edhe një rritje të jashtëzakonshme (thuajse pranë dyfishimit), me 89.4% më shumë turistë, nëse krahasohet me periudhën e tetorit 2022, sa i takon shtetasve të huaj.

Rritje gjithashtu ka pasur edhe sa i takon shtetasve shqiptarë, të cilët kanë hyrë në territor, duke shënuar 564 mijë dhe duke rritur kësisoj edhe daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

Ajo çfarë shihet më së shumti me interes gjithsesi, është se në terma vjetorë, ka pasur 32.3% më shumë vizitorë të huaj në vend.

Nëse përllogariten edhe hyrjet e shtetasve shqiptarë në këto muaj, atëherë lëvizjet shkojnë në 14.655 milionë.

Për t’u theksuar mbetet fakti se shumica e këtyre vizitorëve të huaj vijnë nga Evropa (8 milionë e 623 mijë) dhe mbi të gjitha nga Evropa jugore (6 milionë e 790 mijë).

Por interes të lartë për të vizituar Shqipërinë ka pasur edhe nga Evropa Perëndimore (697 mijë), ajo Lindore (604 mijë), apo veriore (340 mijë).

Pas nuk mbeten as turistët amerikanë, të cilët si rrallëherë më parë, kanë ardhur në masë 217 mijë brenda 10 muajve të parë të vitit.

Meritë për këtë ka pasur edhe puna që është bërë me aeroportin e Rinasit, i cili me shtimin e kompanive dhe linjave ajrore – mbi të gjitha atyre low cost – kanë zgjuar interesin e vizitorëve të huaj, duke ofruar linja direkte dhe çmime të përballueshme, të cilat kanë qenë joshëse për tregun.

Të ngjashme