Lajme
Shqipëria prodhoi më shumë energji se sa konsumoi në vitin 2023
Demokracia
20:21 | 19 Shkurt 2024

Share:

Bota është përfshirë nga një krizë e thellë energjetike në vitet e fundit, që prej dëmeve të shkaktuara nga Lufta në Ukrainë dhe vijimi i saj, por për Shqipërinë ka lajme të mira.

Në fakt, gjatë vitit 2023, burimet hidrike në vend kanë paraqitur një prodhim të lartë neto të energjisë, duke kapur kuotën e 8.8 milionë megawatt-ëve – një sasi kjo 11% më e lartë se sa konsumi i energjisë.

Nga ky total, mbi 58% e prodhimit u sigurua nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Ky i fundit është edhe i ngarkuar me detyrën e sigurimit të energjisë përmes prodhimit apo blerjes në tregun e lirë, ku KESH-i mori rreth 561 mijë megawatt-ë.

Në tërësi, sasia e prodhimit dhe blerjes që KESH i kaloi Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) ishte sa rreth 50 për qind e konsumit total në vend.

Ndryshoren e nevojshme të konsumit në vend ndërkaq, Furnizuesi i Tregut të Lirë, i cili është pjesë e grupit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, e siguroi nga disa segmente, prej të cilëve edhe prodhuesit me përparësi të energjisë, të lidhur me rrjetin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

FTL ka blerë gjithsej 3.17 milionë megawatt energji. Më pak se gjysma ka shkuar për mbulimin e humbjeve në rrjet.

Nga ana tjetër, disa procedura shkëmbimi kanë ndodhur edhe me Kosovën, ku KESH-i i ka kaluar homologes së saj, KEK, një sasi prej 1.79 milionë megawatt-ë energji elektrike.

Viti 2023, u karakterizua nga një qetësi e shtuar sa i takon krizës energjetike, pasi edhe çmimet në tregun ndërkombëtar pësuan ulje në raport me vitin 2022.

Më parë, vendi ka qenë edhe në gjendje emergjence, po atij iu dha fund duke parë performancën e mirë në sektorin e energjetikës.

Me investime të reja në fushën e energjisë diellore, apo asaj eolike, pritet të ketë një shtytje edhe më të mirë të gjithë sektorit, me qëllim edhe të qenit eksportues neto të energjisë brenda kësaj dekade.

Të ngjashme