Lajme
Shqipëri, të hënën mbërrijnë doza të tjera të vaksinave Pfizer
Demokracia
18:22 | 09 Mars 2021

Share:

Sot bëhet një vit në luftën ndaj COVID-19, e cila nisi me identifikimin e dy rasteve të para në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik dhe trajtimin e dy pacientëve të parë në Spitalin Infektiv, më 9 mars të vitit 2020.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu ka shprehur mirënjohjen dhe falënderime ekipit mjekësor të Infektivit, duke bërë një bilanc të këtij viti pandemie.

“Nëse do të bënim sot një bilanc, bilanci sigurisht është mijëra jetë të shpëtuara, por për fat të keq, kemi 1956 jetë të humbura, që janë një humbje e madhe për të gjithë ne, një humbje e pakthyeshme, ndaj ajo çfarë dua të them është që lufta nuk ka përfunduar, patjetër që do ketë kohë për balancën finale, por ajo çfarë unë dua të nxjerr në pah është kuraja juaj, është shpirti juaj i sakrificës, është puna e palodhur kur edhe në ato momente kur e panjohura ishte aq e madhe, ju nuk u frikësuat, nuk u tutët, nuk u stepët asnjëherë për të vijuar misionin tuaj në shërbim të gjithë njerëzve dhe unë për këtë gjë, ju falënderoj e ju përulem me respekt dhe mirënjohje për të gjithë punën tuaj”, tha Manastirliu.

Manastirliu e konsideroi dritë në fund të tunelit vijimin e procesit të vaksinimit dhe lajmëroi se do të vijojë furnizimi me dozat e radhës sipas kontratës me kompaninë Pfizer.

“Më shumë se 20 mijë vaksinime janë kryer deri tani, presim të hënën të vijnë dozat e tjera të kontratës së Pfizer, për të vijuar vaksinimet e të gjithë personelit dhe të moshuarve që tashmë i kemi kryer me dozën e parë. Presim nga COVAX të vijnë dozat e vaksinës AstraZeneca dhe do të njoftohemi besoj në një moment të shpejtë për datën e mbërritjes së 14.400 vaksinave nga instrumenti COVAX”, tha Manastirliu./tch

Të ngjashme