Lajme
Qeveria Kurti ‘e para’ për lëvdata ndaj Policisë, por për realizimin e kërkesave të tyre ende askund
Demokracia
15:24 | 07 Maj 2024

Share:

Policia e Kosovës, tash e sa muaj janë në pritje për t’i zgjidhur një herë e mirë pakënaqësitë që i kanë.

Pavarësisht të disa takimeve që Sindikata e Policisë i ka bërë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ende nuk është mar vendim për 14 kërkesat e tyre.

Në një prononcim për Periskopin, kryesindikalisti, Imer Zeqiri ka thënë se janë në pritje të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe rikthimin e shtesave për rrezikshmëri siç ka qenë.

“Që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar jemi në kontakt dhe kemi zhvilluar dy takime me Ministrin e MPB-së z.Xhelal Sveçla lidhur me kërkesat e Sindikatës së Policisë. Gjatë takimit jemi njoftuar se janë bërë investime në infrastrukturë, si në pajisje dhe në disa objekte policore. Poashtu na ka njoftuar se është duke u punuar për Ligjin për sigurime shëndetësore si dhe për Ligjin për pensionim. Po ashtu jemi në pritje të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka vlerësuar se nuk mund të ketë zbritje page aty ku ka pasë, po ashtu zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 do të rikthehet si dhe shtesa për rrezikshmëri ashtu siç ka qenë, sepse Aktgjykimi i Kushtetueses thotë se një e drejtë që ka qenë e fituar nuk duhet t’i merret askujt”, ka thënë ai.

Zeqiri po ashtu u pyet nëse do të ndërmarin veprime sindikale, ai thotë që vazhdimisht do të kërkojnë realizmin e kërkesave të tyre.

“Veprimet tona sindikale do të jenë të vazhdueshme deri në realizim të kërkesave, ashtu si do të kërkojnë anëtarësia”, ka thënë ai.

Këto janë 14 kërkesat e Policisë për Qeverinë:

1. Përmirësimi i kushteve të punë në përgjithësi, siç janë, veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare, nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.

2. Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe mos të varet vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar, si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmëri në punë të jetë nga 25 deri në 50% e pagës bazë dhe të formohet një komision që do të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri.

3. Përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës.

4 ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare, e njëjtë me ligjin e FSK-së.

5. Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit në buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera.

6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së të cilët janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond apo caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit.

7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike.

8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, për të gjithë e barabartë.

9. Pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë.

10. shtesa për fundvit e vlerës së një page për të gjithë ata që kanë treguar performancë të mirë gjatë tërë vitit.

11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikimit shkollor.

12. Të rikthehen tri pagat përcjellëse për zyrtarët që pensionohen.

13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë që mund të kenë një rast vdekje në familjen e ngushtë,
dhe 14. Përkujdesja për mirëqenien e familjeve të pjesëtarëve të policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare apo janë lënduar. Si psh, shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët apo anëtarë nga familja e ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë.

Të ngjashme