Lajme
Shqetësuese | Kurti tha se e pranon planin franko-gjerman, por zëvendësi i tij deklaronte se ky plan mbështet qëndrimin e Serbisë
Demokracia
17:11 | 06 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për takimin që pati sot me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kurti në një postim në Twitter ka shkruar se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti.

Kurti thotë se ka pyetje të rëndësishme rreth këtij plani e të cilat do t’i adresojë në Bruksel.

“Pyetje të rëndësishme mbi garancën ndërkombëtare, mekanizmat zbatues dhe periudhën kohore do të adresohen së shpejti në bisedimet në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit evropian na japin shpresë”, ka shkruar Kurti.

Në takim me Lajçakun, Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Besnik Bislimi. E pikërisht Bislimi ishte ai që një muaj më parë tha se plani franko-gjerman është më i favorshëm për Serbinë, shkruan Demokracia.com.

Bislimi më 11 janar të këtij viti ka thënë se nëse bëhet një fokus në elementet “de jure”, atëherë i bie që propozimi frank-gjerman mbështet pozicionin e Serbisë se aktualisht s’ka kushtet për arritjen e njohjes reciproke.

“E përsëris, nuk duhet t’i zbulojmë elementet e dokumenteve, por nëse fokusohemi në elementet “de jure”, atëherë mund të themi se dokumenti mbështet qëndrimin e Serbisë se aktualisht nuk ka kushte për njohje reciproke”, ka thënë Bislimi për Euroneës i pyetur nëse brenda propozimit është dhe njohja reciproke.

Ai tutje kishte thënë se palët janë marrë vesh që të mbajnë sekrete detaje të propozimit, megjithatë thotë se në momentin që do të ketë një lloj progresi atëherë publiku do të njoftohet për gjithçka. /Demokracia.com/

 

 

 

Të ngjashme