Lajme
Shpjegimi i ekspertëve hartues të draft-Statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe – pikat kryesore, puna juridike, dokumentet e shqyrtuara dhe Kushtetuta e Kosovës
Demokracia
16:21 | 08 Nëntor 2023

Share:

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me 23 dhjetor të vitit 2015 për “Përputhshmërinë e parimeve që përmban dokumenti i titulluar ‘Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumice Serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore’ me frymën e Kushtetutës”, kishte nxjerr në pah tri probleme kryesore për drejtimin që kishte marrë Asociacioni.

Gjykata Kushtetuese në vendimin prej 39 faqesh ngrehte shqetësime se përmes Parimeve të Përgjithshme për Asociacionin ky entitet rrezikon të marrë kompetenca nga niveli Qendror apo lokal i Qeverisjes, që është në kundërshtim me Kushtetutën; që rrezikon të shndërrohet në një institucion ekskluziv për mbrojtjen dhe të drejtat e komuniteti serb, që sërish është në kundërshtim me Kushtetutën dhe që ka paqartësi se çfarë nënkupton termi “full overview” në marrëveshje – është “vështrim”, siç ishte përkthyer në shqip, apo “auditim” siç ishte përkthyer në serbisht.

Këto tri shqetësime kryesore të opinionit të Gjykatës Kushtetuese thuhet të jenë adresuar në Statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i publikuar i plotë nga Televizioni 7 dhe i cili propozim është adaptuar pothuajse në tërësinë e tij nga bashkësia ndërkombëtar, për t’u shndërruar në draft-Statutin që tashmë Qeveria e Kosovës e ka pranuar.

Lexo Draftin e plotë – Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Albanian Post përveç posedimit të statuti, ka siguruar edhe një arsyetim të shkurtër ligjor nga ekspertët themelues të statutit – i cili është hartuar nën mbikëqyrjen e emrave më eminentë të jurisprudencës anglo-saksone.

Emra, që siç kupton Albanian Post, disa prej tyre janë edhe pjesëmarrës direkt në krijimin e identitetit juridik të Republikës së Kosovës.

Statuti operon me përkufizime dhe formula juridike që tashmë ekzistojnë në ligjet e Kosovës dhe siç elaborohet në tekstin sqarues para prezantimit të draftit, Asociacioni nuk mund të marr asnjë vendim pa pëlqimin eksplicit të secilës komunë pjesëmarrëse, duke dashur kështu të provohet se Asociacioni nuk është nivel juridik mbi komunat.

Ky draft-propozim nga Rama kishte ardhur si kontribut i Shqipërisë për të zhbllokuar procesin e bisedimeve meqë ishte krijuar ngërç në diskutimet konceptuale në lidhje me personalitetin juridik të Asociacionit.

Në draftin përfundimtar, Bashkimi Evropian ka marr në konsideratë të gjitha kontributet e tjera, idetë, sugjerimet dhe shqetësimet e të gjitha palëve dhe pretendohet se versioni i BE-së është i balancuar dhe tërësisht brenda kornizës kushtetuese të Kosovës.

Përndryshe, ekspertët hartues sqarojnë se “Personaliteti juridik dhe kapaciteti juridik i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (është) në përputhje me kornizën ekzistuese kushtetuese të Kosovës dhe në të njëjtën kohë (arrihet) përmbushja e pritshmërive të komuniteti ndërkombëtar”.

Sqarimi për statutin, që tashmë është publikuar, kthjellon “Karakterin dhe kapacitetin legal, Kanalin e drejtpërdrejtë të Komunikimit me Qeverinë e Kosovës, kornizën e marrëdhënieve të qëndrueshme në mes të komuniteti serb në Kosovë dhe Serbisë, Kornizën e vetë-menaxhimit për komunitetin serb të Kosovës dhe Kornizën e integrimit paralel të sistemit serb të edukimit dhe shëndetësisë”.

Siç dihet, “Kushtetuta e Kosovës i definon katër shtresa të qeverisjes: Qeverisja lokale, Qeverisja qendrore, sistemi juridik dhe sistemi legjislativ”. Prandaj, “meqë Asociacioni/Bashkësia është e etabluar direkt përmes një ligji specifik, Asociacioni/Bashkësia është një organizatë dhe jo një shtresë e re e qeverisjes”.

Tani, pyetja është, çfarë lloj organizate është Asociacioni/Bashkësia?

Ekspertët pretendojnë se “ky propozim statut ofron një zgjidhje kreative legale që përmbushë pritjet e komuniteti ndërkombëtar dhe në të njëjtë kohë ruan kornizën kushtetuese të Kosovës”.

Qysh në fillim bëhet e qartë se “ky propozim statut buron nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, opinioni/vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe pritjet e komuniteti ndërkombëtar”, dhe gjithashtu Statuti “merr inpute edhe nga Statuti i e Friedrich Ebert Stiftung në disa sektorë”.

Statuti është “i inspiruar nga Parlamenti Sami” dhe “propozon një model hibrid”.

“Parlamenti i Samit është në një pjesë një trupë e komunitetit dhe në pjesën tjetër një agjenci qeveritare. Pjesa që funksionon si agjenci qeveritare është nën fushëveprim të Ministrisë suedeze të Drejtësisë. Për të qenë të saktë, Parlamenti Sami vepron në kapacitetin e një agjencie qeveritare të Suedisë, me detyra të limituara dhe të rregulluara ligjërisht”.

Sipas Statutit të propozuar nga Qeveria shqiptare dhe hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë, Asociacioni është kombinim (hibrid) i tri shtyllave:

Ai përbën “një forum për bashkëpunim ndër-komunal (Asociacion i rregullt i Komunave); Një grup publik i avokimi i angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të Komunitetit Serb dhe interesave të tyre; ‘autoritet i bashkuar administrative’ që vepron në kapacitetin e një agjencie të specializuar të qeverisë me detyra të limituara dhe të rregulluara juridikisht”.

Statuti propozon një model ku “’autoriteti i bashkuara administrativ’ me detyra të limituara dhe të rregulluara juridikisht është brenda fushëveprimit të kryeministrit. Po të vendosej nën një ministri specifike do të jepte përshtypjen e degradimit të relevancës së Asociacionit/Bashkësisë”.

Koncepti i “Autoritetit të bashkuar administrativ” është i dizajnuar bazuar në imputet e Ligjit ekzistues për Bashkëpunim Ndër-komunal dhe nga hapësira juridike e manovrimit e mundësuar nga Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura dhe kapitujve të Këshillit të Evropës.

Sipas këtij propozim statuti, “Asociacioni/Bashkësia ka kompetenca bazë (forum i bashkëpunimit ndër-komunal dhe shtylla të avokimit) dhe autorizim special apo delegim i detyrave (shtylla administrative)”, thuhet në sqarimin e ekspertëve që është i vendosur si para-shpjegim i Statutit me nene.

Aty thuhet edhe se “sipas modelit suedez, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme se ku mundet dhe ku nuk mundet të ushtroi mbikëqyrje”.

“Qeveria nuk mund të ushtrojë asnjë mbikëqyrje rreth aktiviteteve që lidhen me kompetencat bazë (forumi ndër-komunal dhe komponentët e avokimit)”.

Në këtë pjesë sqarohet se meqë “në Kosovë komunat kanë të drejta të garantuara me Kushtetutë për bashkëpunim ndër-komunal, mbikëqyrja, apo çfarëdo interferimi nga autoritet qendrore, përbën shkelje të rëndë kushtetuese”.

Si definicion, “Asociacioni/Bashkësia, si një entitet legal që përfaqëson interesin e përbashkët të komunave ku komuniteti serb është shumicë, dhe komuniteteve të tjera që banojnë në këto komuna, ka të drejtë kushtetuese të angazhohet në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb. Gjithsesi, Asociacioni/Bashkësia nuk ka superioritet mbi entitet të tjera legale që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës”.

“Asociacioni nuk zgjedhet direkt nga ndonjë Parlament i Serbëve të Kosovës, që të ketë mundësinë e dominimit dhe veçantisë. Siç sugjerohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Asociacioni mund të ushtrojë detyra si edhe entitetet të tjera që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës. Prandaj, autoritet qendrore nuk kanë mbikëqyrje rreth këtyre aktiviteteve”.

Sa i përket autorizimeve speciale të detyrave “për Asociacionin/Bashkësinë që të ushtrojë detyra specifike publike, Qeveria ka të drejtën/autoritetin e mbikëqyrjes, artikulli 39 i këtij Statuti. Ky Statut mundëson një ‘tick in the box’ (pikë të përmbushur) për çdo pritje substanciale të komuniteti ndërkombëtar”.

Por, cili është karakteri i veçantë dhe kapaciteti ligjor i Asociacionit?

Neni 6 i këtij Statuti e definon Asociacionin si një “Entitet Legal Special i Ligjit Publik”.

“Entiteti Special Legal i Ligjit Publik nënkupton një organizim unik i themeluar me një Ligj Special, i aftë të ushtrojë detyra specifike jo profitabile, publike ose jo publike, sipas autorizimit që merr nga ligji. Ligji Specifik i referohet Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë”, ligj që ishte votuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013.

“Definicioni duhet të jetë i mjaftueshëm për të përmbushur pritshmërinë e ndërkombëtarëve”.

Çfarë është kanali direkt i komunikimit me Kosovën që e parasheh Asociacioni?

Ekspertët shkruajnë se “ligjërisht duhet shumë punë për të përkthyer këtë në diçka funksionale. Gjithsesi, kjo është një pritje esenciale e komunitetit ndërkombëtar”.

Këtu merret praktika e modelit suedez.

“Modeli suedez inspiron Kapitullin 3 (Raportet me Autoritet Qendrore). (Sepse) në vend se të thuhet “JO”, qëndrimi adekuat është ‘të shohim çfarë mund të bëjmë’.  Principet e gjenerozitetit dhe mirëbesimit janë principet mbi të cilat bazohet raporti në mes të autoriteteve qendrore në Suedi dhe komuniteti Sami. Të gjitha 5 nenet e Kapitullit 3 të këtij Statuti janë të udhëhequra nga principet e gjenerozitetit dhe mirëbesimit dhe synojnë të japin një zgjidhje legale për problemet politike”.

Si janë paraparë raportet në mes të Komuniteti serb të Kosovës dhe Serbisë, si një nga pikat e ndjeshme të Asociacionit?

Ekspertët shkruajnë se “komuniteti ndërkombëtar ka çimentuar pozitën e vet rreth premisës që komuniteti serb, si një komunitet autokton në Kosovë për shumë shekuj, ka të drejtën absolute ta dijë se ku qëndron sa u takon raporteve me Serbinë. (Prandaj) komuniteti ndërkombëtar pret që Kosova t’i adresojë këto shqetësime”.

Neni 14, thuhet në para-tekstin e draftit, “ofron kornizën për këto pritje dhe i kthen në një mundësi për Kosovën, një mjet në procesin e mëtejmë të bisedimeve për normalizim me Serbinë”.

Nëse shikohet neni 14, pika 3, aty thuhet se “Asociacioni ka të drejtë të pranojë asistencë direkte nga Republika e Serbisë. Kjo asistencë mund të jetë financiare, në të mira dhe pajisje dhe në ekspertizë profesionale”.

Një pikë më poshtë, pika 4 e këtij neni, thotë se “pajisjet, të mirat dhe donacionet do të jenë të përjashtuara nga çfarëdolloj takse”.

Ndërsa pika 5 e këtij neni thotë se “deri në normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, Asociacioni është i autorizuar të menaxhojë institucionet e edukimit dhe shëndetësisë të themeluara nga Republika e Serbisë” dhe kjo do të bëhet përmes procedurave speficike të precizuara në këtë statut.

Serbisë i lejohet e drejta e pronësisë mbi këto dy sisteme, shëndetësor dhe arsimor, sepse ekserptët thonë që “komuniteti ndërkombëtar e njeh faktin se deri në një normalizim të plotë të raporteve, menaxhimi i këtyre strukturave do shumë punë”.

“Gjithsesi, në të njëjtën kohë, për komunitetin ndërkombëtar, Kosova është Kosova dhe Serbia është Serbia. Prandaj, do të dëshironte të shihte të ndodhte diçka sa i përket tranzicionit të këtyre strukturave nga sistemi i Serbisë në atë të Kosovës”.

Mënyra si është modeluar kjo cështje nga Statuti i propozuar nga Shqipëria dhe i hartuar nga ekspertë perëndimor quhet “një zgjidhje kreative dhe praktike për të zgjidhur problemin e ekzistimit të institucioneve të shëndetësisë dhe arsimit të themeluara nga Serbia. Është (me shumë gjasë) i vetmi model që funksionon. Në të njëjtën kohë, nëse ky model ecën, do t’i jap shtytje procesit të integrimit dhe do të ndihmonte procesin e normalizimit në përgjithësi”.

Si parashihet kjo zgjidhje kreative?

Neni 19, pika 1 thotë se “’Sistemi Serb i Edukimit’ dhe ‘Sistemi Shëndetësor i Edukimit’ do të themelohen si ofrues të pavarur të edukimit dhe shëndetësisë, duke theksuar Republikën e Serbisë si themeluese dhe kontributori financiar, gjithashtu zyrat qendrore të këtyre ofruesve do të jenë me lokacion në Republikën e Serbisë”.

Pika e radhës e këtij neni thotë se “në Kosovë, këta ofrues do të kenë statusin e ofruesve të huaj privat të edukimit dhe shëndetësisë. Qeveria e Kosovës do t’i pajisë këta ofrues me licenca operimi të përkohshme prej pesë vjetësh”.

Më poshtë, në një pikë tjetër, sqarohet tutje se pas licencimit “Asociacioni menaxhon në tërësi funksionimin e ofruesve të sistemit të Shëndetësisë dhe Edukimit”, derisa “Republika e Serbisë kompenson përshtatshëm Asociacionin për këto shërbime. Këta ofrues do të përjashtohen nga doganat dhe detyrimet e tjera derisa ofrojnë këto shërbimet falas”.

Po ashtu, një pikë thekson faktin se “këta ofrues (nga Serbia) do të jenë të autorizuar të japin shërbimet e tyre edhe në territorin e komunave që nuk janë anëtare të Asociacionit”, nëse ka pajtim nga ato komuna.

Në fund të sqarimit, para shpalosjes së draftit, ekspertët thonë se “emri i organizatës që do të themelohej me këtë statut do të ishte ‘Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe’. Gjithsesi, lloji i organizatës do të jetë ‘Asociacion’. Fjala ‘Bashkësia’ është bërë esenciale për Serbinë. Prandaj, të qëndrojmë me të”.

Gjithsesi, jepet komenti nga ekspertët hartues, “organizata nuk definohet nga emri, por nga personaliteti i vet legal. Meqë organizata varet nga aranzhimet kontraktuale në mes të komunave pjesëmarrëse është një Asociacion në formën e vet gjenerike legale. Theksimi se Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe është ligjërisht një Asociacion është esenciale për Kosovën. Qasja në këtë statut zgjidh edhe kontraversitetin me emrin”.

Sa i përket termit “full overview” ai është qartësuar se nënkupton “rregullim, organizim, koordinim dhe administrim”.

Pas komenteve hyrëse pason Statuti me gjithsejtë 45 nene. Ky version nuk është final, por versioni final është pothuajse identik me fare pak ndryshime.

Kosova është pajtuar për draftin e Statuti të propozuar nga ndërkombtarët. Njëjtë, është pajtuar edhe Serbia. Arsyeja e mos nënshkrimit në Bruksel kishte të bënte me dy marrëveshjet tjera, që Kosova deshi t’i nënshkruajë paketë e Serbia jo.

Asociacioni themelohet me akt qeveritar. Më parë ishte parashikuar që para themelimit të Asociacionit, siç e parasheh statuti, fillimisht të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Kjo s’është krejt e sigurt se do të ndodhë.

Mund të mos dërgohet fare nga Qeveria, apo mund të dërgohet dhe Kushtetuesja ta kthejë prapa si një lëndë që nuk e sheh të arsyeshme ta trajtojë, siç pati bërë me Marrëveshjen e vitit 2013.

Drafti aktual përbën draftin e parë të hartuar ndonjëherë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Më poshtë, drafti në versionin e vet origjinal në anglisht:

Statuti i Asociacionit te Komunave me Shumice Serbe

Të ngjashme