Auto&Tech
“Shpërthen” bitcoin, ngjitet në mbi $41,000 – Niveli më i lartë në 19 muaj, optimizëm për miratimin e ETF-ve
Demokracia
19:40 | 04 Dhjetor 2023

Share:

Tregu i kriptomonedhave është rritur ndjeshëm në sesionin e sotëm, me bitcoin që ka kaluar nivelin e 41,000 dollarëve, dhe po mbështetet nga pritshmëritë për miratimin e ETF-ve në SHBA dhe nga bastet për uljen e interesave në SHBA.

Kriptovaluta më e madhe në botë u rrit me më shumë se 5%, duke prekur nivelin më të lartë në 19 muajt e fundit, në mbi 41,700 dollarë. Kjo është hera e parë që nga maji 2022 që bitcoin ka shkelur nivelin e 40,000 dollarëve. Që nga fillimi i vitit, bitcoin është rritur me më shumë se 145%.

Kjo rritje vjen pas skandaleve që tronditën tregun, duke përfshirë kolapsin e FTX në nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa pak javë më parë themeluesi i saj Bankman-Fried u shpall fajtor për të shtatë akuzat penale. Analistët shprehen se tashmë që bitcoin kaloi nivelin e 40,000 dollarëve, objektivat e radhës do të jenë 48,000 dhe 52,000 dollarë. CNBC raportoi javën e kaluar se zyrtarët e Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA u takuan me përfaqësues të Grayscale, BlackRock dhe Nasdaq.

Në një memo, Komisioni tha se u takua me zyrtarët e Grayscale në lidhje me konvertimin e mundshëm të Grayscale Bitcoin Trust në një ETF. Ky njoftim rriti besimin në treg se një ETF në bitcoin mund të miratohet së shpejti, duke rritur çmimin e kriptomonedhës më të madhe në botë.

Ndërkohë, shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell, deklaroi se është ende shumë herët për të folur për uljen e normave të interesit, ndërsa banka qendrore do të “mbajë një politikë kufizuese” derisa politikëbërësit të jenë të sigurt se inflacioni po kthehet në mënyrë solide pranë 2%. Komentet e Powell nxitën pritshmëritë se Rezerva Federale i ka dhënë fund ciklit të rritjes së interesave dhe në gjysmën e parë të vitit 2024 do të fillojë ulja e tyre.

SCAN

Të ngjashme