Lajme
Shpejtim Bulliqi e shpërblen me kontratë vajzën e drejtorit Agim Hamza, që Kurtit ia hapi dyert e shkollës gjatë grevës
Demokracia
14:51 | 21 Tetor 2022

Share:

Gjatë kohës kur mësimdhënësit e Kosovës ishin në grevë, një shkollë në Podujevë kishte hapur dyert e saj. Shkolla “Enver Maloku” e kishte pritur edhe kryeministrin Albin Kurti, në një vizitë kur tentonte t’i përçante mësimdhënësit.

Greva në shkollën “Enver Maloku” në Podujevë duket se ishte ndërprerë kryekëput për interesa të drejtorit të kësaj shkolle, Agim Hamzës. Ai i kishte tradhtuar kolegët e tij nga shkollat e tjera për ta punësuar të bijën e tij.

Demokracia.com asokohe kishte kontaktuar me Hamzën, i cili ishte betuar se vajza e tij nuk kishte aplikuar dhe se ajo, sipas tij, ishte e punësuar në Prishtinë.

DOKUMENT| Vajza e drejtorit të shkollës që vizitoi Kurti, menjëherë futet në listën e ngushtë të punësimit si infermiere në Podujevë

Por, një njoftim i kryetarit të kësaj komune, Shpejtim Bulliqit, po e dëshmon të kundërtën.

Bulliqi në Facebook-un e tij ka publikuar disa fotografi nga ndarja e kontratave për 12 praktikantë-infermierë në mesin, ku pjesë e të cilëve duket edhe Blendina Hamza, vajza e drejtorit të shkollës.

“Sot pata kënaqësinë t’i shpërndaj kontratat për 12 praktikantët – infermierë, të cilët janë përzgjedhur për të kryer punë praktike në objektet shëndetësore në Komunën e Podujevës.
Kjo mundësi e punës praktike me pagesë buron nga marrëveshja e bashkëpunimit që kemi nënshkruar me Agjencinë e Punësimit dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve. Infermierët i kemi sistemuar në bazë të nevojave si në: AMF, QMF dhe QKMF. Ju urova punë të mbarë dhe kërkova nga ta të jenë në krye të detyrës, duke ju ofruar shërbime cilësore shëndetësore qytetarëve tanë! .”, ka shkruar Bulliqi.


Demokracia.com në atë kohë kishte kontaktuar edhe me drejtorin e shkollës “Enver Maloku” në Podujevë, Agim Hamzën.

Ai kishte thënë për Demokracia.com se nuk e di nëse vajza e tij ka konkurruar në këtë konkurs, duke thënë se ajo punon për më shumë se dy vjet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vranjevc.

“Të lutem, qysh mundesh me thënë këtë fjalë, mi ba presion dikujt me ardh në shkollë. Kjo pyetje nuk zë vend. Nëse beson në Zot, Zoti i madh, nuk di gja për atë punë. Vajza ime është duke punuar. Punon ajo në Prishtinë. Pasha Zotin s’e kam pa. Çika jem punon në Shtëpi të Shëndetit në Vranjevc. Mos bini pre e këtyre dezinfomatave. Unë punoj në shkollë që 18 vjet dhe e du nxansin. Mos të lutem. Për këto gjana mundemi me përfundu në gjykatë. Vajza jem është duke punuar dhe nuk e di a ka konkurru a jo”, tha Hamza për Demokracia.com.

Stafi i shkollës “Enver Maloku”, nga frika e hakmarrjes politike, në kushte anonimiteti ishin ankuar te redaksia e Demokracia.com për presion të madh nga ana e drejtorit të kësaj shkolle, Agim Hamza, i cili provonte me çdo kusht ta thyente organizimin sindikal dhe të fillonte mësimi pa vonesa të mëtejme në këtë shkollë. /Demokracia.com/

Të ngjashme