Lajme
DOKUMENT| Vajza e drejtorit të shkollës që vizitoi Kurti, menjëherë futet në listën e ngushtë të punësimit si infermiere në Podujevë
Demokracia
20:10 | 09 Shtator 2022

Share:

Drejtori i Shkollës Fillore “Enver Maloku”, Agim Hamza, shkollë që e vizitoi ditë më parë kryeministri Albin Kurti dhe kryetari Shpejtim Bulliqi, i ka bërë të ndjehen të tradhtuar për interesa të vetat të ngushta shumë kolegë mësimdhënës në Podujevë.

Kryeministri Albin Kurti më 5 shtator e vizitoi shkollën “Enver Maloku” në Podujevë, ku tha se ka nisur mësimi, shkruan Demokracia.com.

“Shkolla është vend ku mësohet, ku jepet mësim dhe ku fëmijët edukohen, bëhen më të ditur e më të mençur. Andaj, edhe shkolla duhet të jetë vendi ku vijnë nxënësit, të mësojnë e jo t’i gjejnë dyert e mbyllura e klasat e zbrazëta”, ka thënë Kurti.

Demokracia.com ka mësuar nga stafi i kësaj shkolle se ata ishin përballur me presione të jashtëzakonshme nga drejtori Agim Hamza për të nisur atë ditë mësimin.

Megjithatë, në mesin e kolektivit arsimor në Podujevë tashmë po përflitet me të madhe se drejtori Hamza ka filluar të bëjë “pazare” me qeverisjen e Bulliqit. Presioni mbi kolegët ka filluar t’i shpërblehet atij, pasi që Demokracia.com ka mësuar se vajza e tij, Blendina, tashmë është futur në listën e ngushtë për punësim si infermiere në këtë komunë.

Emri i saj figuron edhe në listën e publikuar nga Komuna e Podujevës, me numër rendor 9, shkruan Demokracia.com.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e shkollës “Enver Maloku” në Podujevë, Agim Hamzën.

Ai ka thënë për Demokracia.com se nuk e di nëse vajza e tij ka konkurruar në këtë konkurs, duke thënë se ajo punon për më shumë se dy vjet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vranjevc.

“Të lutem, qysh mundesh me thënë këtë fjalë, mi ba presion dikujt me ardh në shkollë. Kjo pyetje nuk zë vend. Nëse beson në Zot, Zoti i madh, nuk di gja për atë punë. Vajza ime është duke punuar. Punon ajo në Prishtinë. Pasha Zotin s’e kam pa. Çika jem punon në Shtëpi të Shëndetit në Vranjevc. Mos bini pre e këtyre dezinfomatave. Unë punoj në shkollë që 18 vjet dhe e du nxansin. Mos të lutem. Për këto gjana mundemi me përfundu në gjykatë. Vajza jem është duke punuar dhe nuk e di a ka konkurru a jo”, tha Hamza për Demokracia.com.

Stafi i shkollës “Enver Maloku”, nga frika e hakmarrjes politike, në kushte anonimiteti është ankuar për Demokracia.com për presion të madh nga ana e drejtorit të kësaj shkolle, Agim Hamza, i cili po provon me çdo kusht ta thyejë organizimin sindikal dhe të fillojë mësimi pa vonesa të mëtejme në këtë shkollë. /Demokracia.com/

Të ngjashme