Lajme
Shoqëria civile u bën thirrje deputetëve të votojnë projektligjin për financimin e subjekteve politike
Demokracia
11:29 | 16 Mars 2022

Share:

Organizatat e shoqërisë civile Instituti Demokratik i Kosovës, Demokracia Plus, Demokracia për Zhvillim, Lëvizja FOL dhe Çohu, sot kanë dalë me reagim të përbashkët për projektligjin për financimin e subjekteve politike.

Ata thonë se dështimi për shqyrtimin dhe miratimin e këtij ligji ka cenuar vazhdimisht transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike, të cilat marrin çdo vit mbi katër milionë euro nga buxheti i shtetit, si dhe paraqet regres në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA).

“Ne, organizatat e shoqërisë civile, vlerësojmë që zvarritja e mëtutjeshme e këtij projektligji është e paarsyeshme, si dhe dëmton integritetin e subjekteve politike dhe besueshmërinë e publikut ndaj tyre. Ne mirëkuptojmë qëndrimet e ndryshme që mund të kenë subjektet politike lidhur me projektligjin si tërësi apo pjesë të caktuara të tij, megjithatë, kërkojmë që këto qëndrime të shprehen dhe të përkthehen në kontribut gjatë shqyrtimit të projektligjit në mes të dy leximeve”.

“Prandaj, ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të pozitës ashtu edhe të opozitës, që të votojnë për miratimin e këtij projektligji në parim pa vonesa të mëtutjeshme. Ne do të vazhdojmë ofrimin e ekspertizës tonë përmes rekomandimeve konkrete në funksion të avancimit të projektligjit gjatë diskutimeve në periudhën mes dy leximeve. Gjithashtu, ne do të monitorojmë nga afër punën e trupave të Kuvendit që do të jenë të përfshira në shqyrtimin e këtij projektligji”, thuhet në reagimin e tyre.

Të ngjashme