Lajme
Shkollat në kryeqytet ende pa dollapë të shfrytëzueshëm
Demokracia
11:01 | 09 Shtator 2023

Share:

“Mëngjes tejet i lumtur, sepse sot po fillojmë furnizimin me dollapë të fëmijëve për klasët e para deri në klasët e pesta”.

Ky është një postim i drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, i bërë në muajin shkurt të këtij viti.

Musmurati në atë kohë njoftoi se kanë filluar të vendosin dollapë metalikë në shkollat e Prishtinës.

Por, tani ka filluar viti i ri shkollor dhe në shumë shkolla mungojnë dollapë të tillë.

Visar Osmani, drejtor i SHFMU ‘’Emin Duraku’’ në Prishtinë, thotë se në shkollën që ai menaxhon nuk ka dollapë metalikë.

Ndërkohë thotë se dollapët ekzistues janë siguruar nga vetë prindërit.

“Këta dollapët metalikë që kanë ardhë në tri shkolla të Prishtinës janë për kokë nxënësi, ne i kemi për kokë nxënësi nuk i kanë të gjitha klasët por mbi 50 për qind janë për kokë nxënësi , në shkollën tonë ne po i blejmë prindërit po ndihmojnë por ne jemi ata që po i dëmtojmë dhe nuk po kujdesemi ta ruajmë inventarin dhe të vendosen dollapët e brenda dy muajve të shkatërrohen kjo është e pakuptimtë”, tha Duraku.

E në mungesë të dollapëve, çantat e nxënësve mbesin të stërngarkuara.

“Djalin është dashtë çdo herë me e përcjellë në shkollë për shkak të peshës që e ka pasë me libra edhe për këtë është dashtë me shoqnu gjithmonë në shkollë”, thotë një prind i një nxënësi.

Njëjtë shprehet edhe një gjysh për nipin e tij.

“I bi mesat këtu në shkollë, por po duhet me ju ndihmu, por për atë hir që jam gjysh me vullnet ju ndihmoj, i çoj në shpinë dhe kështu i endi”, tha Ramadan Kuçi.

Të pakënaqur për mungesën e dollapëve brenda hapësirave mësimore po shprehen edhe vetë nxënësit.

“Mendoj se duhet me i pasë raftat e librave dhe mos me i mbajtë çantat”, thotë Nina  Jakupi.

“Ish kanë ma mirë me pas një raft të librave dhe të kemi çantën më të lehtë”, shprehet një nxënëse tjetër, Ema Rexha.

Një nxënës është ankuar se nga pesha e rëndë e çantës ka edhe dhimbje të shpinës.

“Çantat janë të rënda për mua, shokët dhe shoqet dhe duhet me pas rafta në shkollë për me i shti librat se nuk mundemi me mbajt të gjitha sepse kemi dhembje të shpinës”, tha Yll Mustafa.

Tëvë1 ka adresuar pyetje në drejtim të Drejtorisë për Arsim në Komunën e Prishtinës, për të parë nëse do të vazhdojë edhe në shkollat tjera të vendosen dollapët metalikë, por deri në publikimin e kronikës nuk ka marrë përgjigje.

E ndërkohë, mbingarkesa e çantave të nxënësve nga kryeqyteti do të vazhdojë edhe më tutje.

Kronikë e realizuar nga gazetarja, Riga Gjata.

Të ngjashme