Lajme
Pas Prizrenit, më 2 maj edhe Tirana e dekoron Ali Ahmetin me titullin “Qytetar Nderi”
Demokracia
15:27 | 28 Prill 2024

Share:

Më 2 maj, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pritet të shpallet “Qytetar Nderi” i Tiranës nga kryebashkiaku Erion Veliaj, merr vesh Albanian Post.

Kjo është dekorata e dytë brenda këtij muaji për Ahmetin, pasi në fillim të këtij muaji, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj e kishte dekoruar me titullin “Qytetar Nderi” i Prizrenit, gjatë në ceremonie që u zhvillua në kuvendin komunal të kësaj komune, pikërisht në përvjetorin e 43-të të  demonstratave të 2 prillit 1981.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, ku nuk munguan zyrtarë institucionalë në Shkup e Prishtinë, kreu i BDI-së shprehu mirënjohje për Prizrenin, ndërsa shtoi se këtë titulli i dedikohet të gjithë veprimtarëve të çështjes kombëtare, respektivisht bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Unë këtë kënaqësi e ndaj me bashkëluftëtarët e mi. Sot jam edhe qytetar i bashkëluftëtarëve si Remzi Ademi, Xhevat Berisha e Beadin Hallaqi, me të cilët na lidhi një ideal që deri në realizimin e tij nuk pushuam – një pjesë e tyre ranë, një pjesë përballen me drejtësinë ndërkombëtare”, deklaroi ai, duke kujtuar ish-krerët e UÇK-së që janë në paraburgim në Hagë të Holandës.

Nga ana tjetër, kryetari i Prizrenit theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për të nderuar veprën jetësore të Ahmetit, i cili, sipas tij, luajti një rol të madh në ngritjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe rrjedhimisht, kontribuoi edhe në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme