Golden Eagle Ylli ishte klubi i radhës që qytetit të Suharekës ia shtoi edhe një të arritur të madhe në sport, duke arritur ta sjellë për herë të dytë me radhë titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Përveç kësaj “portokallezinjtë” u kualifikuan edhe në garën e FIBA Europa Cup, për herë të parë.
Gëzim Morina, kapiteni i Yllit dhe një nga basketbollistët më të dalluar në Kosovë, duke folur në një intervistë për Demokracia.com e ka vlerësuar të vështirë vitin 2022 përkundër mbrojtjes së titullit dhe historinë e shkruar me pjesëmarrjen në FIBA Europe Cup.
Megjithatë, Morina e ka veçuar një sukses nga dy sa i kanë regjistruar.
“Ka qenë një vit i vështirë, i stërngjeshur me shumë ndeshje. Kam kaluar periudha të mira dhe aso jo edhe aq të mira. Përfaqësimi i qytetit tonë në garat e FIBA Europe Cup për herë të parë në histori ka qenë ndjenjë mjaftë e mirë. Mirëpo, fitimi i titullit kampion i Kosovës për herë të dytë rresht me skuadrën e Golden Eagle Yllit, padyshim që ka qenë e arritura më e madhe e këtij viti dhe shpërblim për punën e bërë. Festa e titullit në Suharekë me mijëra banorë suharekas, do mbetet gjithmonë një kujtim shumë i dashur për mua”, deklaroi Morina për Demokracia.com, duke shtuar:
“Titullin është më vështirë ta mbrosh sesa ta fitosh. Patëm një fillim të dobët të sezonit, mirëpo me disa ndryshime në ekip, arritëm të konsolidoheshim mjaft mirë dhe mendoj që me meritë u shpallëm përsëri kampion“, vazhdoi Morina për Demokracia.com.
Morina e cilëson ndeshjen ndaj Trepçës në “Final Four” në palestrën “Minatori” si më të vështirën e këtij viti për disa arsye.
“Ndeshja më e vështirë ka qenë ndeshja finale e Final Four në Mitrovicë, ku në Palestrën “Minatori” e cila ishe e stërmbushur me tifozë vendas, arritëm ta mposhtnim Trepçën për herë të tretë në serinë finale dhe u shpallëm kampion për vitin 2022. Ishte ndjenjë tejet e veçantë dhe festuam gjatë në palestër me bashkëlojtarët, stafin, kryesinë dhe një grup të tifozëve “Xhebrailat” që kishin ardhur të na perkrahnin atje“, shtoi ai.
Basketbollisti me shumë përvojë në fund të intervistës ka edhe një premtim.
“Viti 2023 pres të jetë një nga vitet më interesante në basketbollin e Kosovës. Sivjet liga është shumë më konkuruese dhe ka disa ekipe që pretendojnë të stolisen me titullin kampion. Për neve do ishte fantastike po të mund të stoliseshim me titull për herë të tretë rresht. Unë dhe gjithë ekipi premtojmë angazhim maksimal drejt arritjes së këtij qëllimi“, nënvizoi për fund basketbollisti suharekas, Gëzim Morina./Demokracia.com/
LEXO EDHE: