Lajme
Shkelje në tenderin 445 mijë euro për shërbime shëndetësore në Shtime: OSHP kërkon ndryshim të kritereve diskriminuese
Demokracia
20:01 | 17 Prill 2025

Share:

Komuna e Shtimes është shndërruar në një arenë ku tenderët janë të diktiuar nga një logjikë që përjashton transparencën dhe konkurrencën e ndershme. Me një proces tenderimi të papërgjegjshëm dhe me një mungesë totale të kontrollit të brendshëm, Shtimja po krijon precedentë që i shërbejnë më shumë interesave të ngushta se sa nevojave të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Në këtë kontekst, tenderët janë bërë më shumë një mundësi për manipulim sesa për përmirësim të infrastrukturës dhe shërbimeve publike, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Shtimes, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, ka publikuar njoftimin për kontratë me titull: “Shërbime shëndetësore shtëpiake-paliative dhe shërbime sociale e rezidenciale për personat në nevojë në Komunën e Shtimes”, me vlerë të parashikuar prej 445,174.12 euro. Por, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i njohur si “Gjykata e tenderëve”, ka argumentuar se prokurimi komunal ka vendosur kritere kufizuese që favorizojnë ose diskriminojnë kompani të caktuara. Për këtë arsye, OSHP ka obliguar Komunën që të udhëhiqet nga Qemail Aliu për të përmirësuar këto kritere.

Aktiviteti i prokurimit është zhvilluar përmes procedurës së hapur, një kontratë kornizë për 24 muaj.

Më 25 dhjetor 2024, kompania “KosovaMed Healthcare SH.P.K.” ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim ndaj këtij njoftimi për kontratë, kërkesë e cila është refuzuar si e pabazuar nga Komuna e Shtimes më 26 dhjetor. Më pas, më 6 janar 2025, “KosovaMed” ka ushtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Tre pretendimet kryesore të operatorit ankues kanë qenë:

  1. Kërkesa për licenca “në nivel nacional” – favorizim i mundshëm për një OJQ të caktuar: Sipas “KosovaMed”, kërkesa që operatorët ekonomikë të kenë licenca “në nivel nacional” është e tepruar dhe nuk përputhet me objektin lokal të kontratës. Ata e cilësojnë këtë si diskriminuese dhe kufizuese për konkurrencën, duke pretenduar se kjo i shkon për shtat një OJQ-je specifike që posedon licencat e nevojshme.

  2. Kërkesa për licencë për Ambulancë Stomatologjike – jorelevante për lëndën e kontratës: Ankuesi konsideron se kërkesa për këtë licencë është e panevojshme, pasi shërbimet stomatologjike janë një komponent dytësor. Sipas tyre, kjo kërkesë favorizon operatorë të caktuar dhe përjashton ata që përmbushin kriteret thelbësore.

  3. Kritere të përgatitura për një operator të caktuar – shkelje e parimeve të LPP-së: Në këtë pretendim, “KosovaMed” thekson se kriteret janë hartuar në mënyrë të tillë që favorizojnë një operator specifik – një OJQ, në kundërshtim me nenet 7 dhe 27 të Ligjit për Prokurimin Publik, të cilat ndalojnë diskriminimin dhe kufizimin e konkurrencës. Ata gjithashtu akuzojnë AK-në për mosarësyezim ligjor në refuzimin e kërkesës për rishqyrtim.

Administrimi dhe vlerësimi i provave:

Për të vërtetuar gjendjen faktike, paneli shqyrtues ka administruar si prova raportin e ekspertit, mendimet e palëve lidhur me raportin, dokumentet e ankuesit, shkresat dhe dokumentet e autoritetit kontraktues, si dhe provat e propozuara nga palët. Lidhur me pretendimet e “KosovaMed Healthcare SH.P.K.”, eksperti shqyrtues përmes raportit nr. 2025/0016 ka vlerësuar si më poshtë:

Konstatimi i parë (I):
Eksperti shqyrtues ka vlerësuar se pretendimi i ankuesit është i bazuar, pasi kërkesa e AK-së për licenca “në nivel nacional” është disproporcionale dhe nuk lidhet me objektivin e kontratës, që ka fokus të kufizuar në Komunën e Shtimes. Kjo kontratë përfshin shërbime shëndetësore shtëpiake dhe paliative, si dhe shërbime sociale e rezidenciale, të cilat janë të kufizuara në një zonë të caktuar dhe nuk justifikojnë kërkesën për standarde kombëtare. Licencat lokale janë të mjaftueshme për të garantuar përmbushjen e objektivave të kontratës dhe për të siguruar cilësinë e shërbimeve të kërkuara. Sipas nenit 25.17 të Rregullores nr. 002/2024, kërkesat për kualifikim duhet të jenë të përputhshme dhe proporcionale me objektin e kontratës.

Konstatimi i dytë (II):
Eksperti ka vlerësuar se kërkesa për licencën e Ambulancës Stomatologjike është e panevojshme dhe jorelevante për objektivin e kontratës. Shërbimet stomatologjike përbëjnë vetëm një element dytësor dhe jo thelbësor për kontratën, duke krijuar kufizime të panevojshme për konkurrencën dhe duke favorizuar operatorët që tashmë kanë këtë licencë, pavarësisht nga mungesa e lidhjes me nevojat e kontratës. Eksperti rekomandon që kërkesa për këtë licencë të hiqet ose të bëhet opsionale.

Konstatimi i tretë (III):
Eksperti shqyrtues ka vlerësuar se kërkesat e vendosura nga AK janë kufizuese dhe disproporcionale, duke dëmtuar konkurrencën dhe përjashtuar operatorët që plotësojnë pjesën kryesore të kërkesave të kontratës. Ky veprim është në kundërshtim me parimet e LPP-së, të cilat kërkojnë trajtim të barabartë dhe jo-diskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë. Refuzimi i kërkesës për rishqyrtim nga AK, pa një arsyetim të qartë dhe ligjor, përbën shkelje të dispozitave të LPP-së.

Gjetjet e Panelit Shqyrtues:

Paneli shqyrtues ka vlerësuar Raportin e ekspertit shqyrtues, i cili ishte hartuar në kuadër të kërkesës së OSHP-së lidhur me kontestin në këtë lëndë të aktivitetit të prokurimit publik.

Paneli shqyrtues ka vlerësuar të gjitha provat e rastit dhe ka arritur në përfundimin se Autoriteti Kontraktues (AK) nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore të LPP-së dhe kërkesat e Dosjes së Tenderit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime shëndetësore shtëpiake-paliative dhe shërbime sociale e rezidenciale për personat në nevojë në Komunën e Shtimes” (Kontratë 8 korrnizë për 24 muaj.

Paneli ka gjetur se disa kërkesa të vendosura në Dosjen e Tenderit janë të padrejta dhe kufizuese, dhe për këtë arsye ka rekomanduar përmirësime të menjëhershme. Pika kryesore e shqyrtimit ka qenë kërkesa për licencat “në nivel nacional”, e cila është konsideruar si diskriminuese dhe e paarsyeshme për tenderin me fushë të kufizuar veprimi në Komunën e Shtimes. Paneli ka kërkuar që AK të përmirësojë këtë kërkesë dhe të kërkojë licenca vetëm nga Ministria përkatëse për shërbimet e specifikuara, duke shmangur kërkesa të tilla të gjerë.

Në lidhje me pretendimet e tjera ankimore, Paneli shqyrtues ka mbështetur përgjigjen e ekspertit për kërkesat e licencave stomatologjike dhe për shërbimet e tjera, duke sugjeruar që AK të rishikojë dhe të modifikojë kërkesat në Dosjen e Tenderit për të shmangur çdo mundësi diskriminimi të operatorëve ekonomikë dhe për të mundësuar ofertim më të hapur dhe të barabartë.

Komuna tashme e ka kthyer për përmirësim dosjen e tenderit. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 19 Prill 2025