Lajme
Shkelje mbi shkelje| Abuzimet e Gërvallës për ta bërë u.d. sekretar Behar Ismën
Demokracia
14:12 | 28 Janar 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, assesi nuk po mund të bëhet rehat me një Sekretar të Përgjithshëm.

Tash e dy vjet kjo pozitë po ‘mbulohet’ vetëm me ushtrues detyre.

Behar Isma është i shtati ushtrues detyre i sekretarit në këtë ministri, shkruan Demokracia.com.

Ministrja Gërvalla kundërligjshëm e kishte emëruar Behar Ismën edhe u.d. Drejtor të Akademisë Diplomatike, të cilin gjithashtu kundërligjshëm tani e ka bërë edhe u.d. Sekretar të Përgjithshëm.

Vendimi për emërimin u.d. i Sekretarit të MPJD-së është vendim ilegal, meqë sipas Rregullores për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në shërbimin civil të Kosovës, deri në zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm në këtë pozitë duhet të jetë Drejtori i Përgjithshëm i kësaj ministrie.

E për ta legjitimuar si sekretar Behar Ismën, Gërvalla në kundërshtim me çdo praktikë të deritashme,  e kishte bërë Ismën drejtor të Akademisë Diplomatike pa qenë as pjesë e diplomacisë, pa përvojë diplomatike si drejtor në ndonjë nga Departamentet Politike të MPJ-së, pa qenë në misione diplomatike, pa pasur kualifikim akademik dhe pa gradë diplomatike.

Behar Isma e kishte përmbushur vetëm një kriter, atë të lojalitetit ndaj pushtetit të ri, pasi që është bashkëshort i ish-asamblistes së Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Rahovecit, Vjosa Ismës, e cila ishte kuvendare komunale në mandatin 2017-2021.

Isma ishte emëruar kundërligjshëm, pasi që sipas rregullores në mungesë të drejtorit – ai/ajo zëvendësohet nga një anëtar i Bordit të Akademisë.

Po sipas rregullores të cilës i referohet Demokracia.com, anëtarët e Bordit janë të jashtëm.

Në këtë rregullore thuhet se përveç në raste të mungesës së mbajtësit të postit për shkaqe shëndetësore, asnjë pozitë e lartë drejtuese nuk duhet të plotësohet me ushtrues detyre për më shumë se tre (3) muaj.

Po ashtu, sipas kësaj rregullore, titullarët e institucioneve duhet të emërojnë si ushtrues detyre të ndonjë pozite të lartë drejtuese, vartësin e parë më të ulët apo kur ka disa vartës të rangut të njëjtë, atëherë zyrtarin që zakonisht zëvendëson zyrtarin në pozitë të lartë drejtuese gjatë mungesave të shkurtra.

Sipas kësaj rregulloreje dhe organogramit të MPJD-së, posti i sekretarit i takon Drejtorit të Përgjithshëm deri në zgjedhjen e sekretarit të ri.

Gjithashtu, në këtë rregullore saktësohet se titullari i institucionit nuk ka të drejtë të emërojë si ushtrues detyre të Sekretarit të Përgjithshëm apo Kryeshefit Ekzekutiv, një nëpunës që është ushtrues detyre në pozitën më të ulët.

 

Demokracia.com iu sjell edhe një skemë të strukturës organizative të MPJD-së.

Po ashtu Demokracia.com kishte raportuar javë më parë për shkeljet e ministres Gërvalla në rastin e Behar Ismës.  /Demokracia.com/

 

Të ngjashme