Lajme
I pakualifikuari që u bë Drejtor i Akademisë Diplomatike nga Gërvalla është burri i asamblistes së Vetëvendosjes (Dokumente)
Demokracia
11:49 | 29 Dhjetor 2021

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, e ka bërë drejtor të Akademisë Diplomatike ish-zyrtarin ligjor të Ministrisë së Diasporës, Behar Ismën. Në kundërshtim me çdo praktikë të deritashme, Isma që do të jetë një prej njerëzve kryesorë në përgatitjen e diplomatëve është bërë drejtor i Akademisë Diplomatike pa qenë pjesë e diplomacisë, pa përvojë diplomatike si drejtor në ndonjë nga Departamentet Politike të MPJ-së, pa qenë në misione diplomatike, pa pasur kualifikim akademik dhe pa gradë diplomatike.

Megjithatë, siç mëson Demokracia.com, Behar Isma ka vlera të tjera që i kanë ndihmuar të ngjitet në krye të Akademisë Diplomatike, pasi që ai është bashkëshorti i ish-asamblistes së Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Rahovecit, Vjosa Ismës, e cila ishte kuvendare komunale në mandatin 2017-2021.

Bashkëshorti i ish-asamblistes së Lëvizjes Vetëvendosje, Behar Isma, për shkak të pozitës së ulët nuk ka pasur nevojë ta deklarojë as pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion. Megjithatë, bashkëshortja e tij Vjosa Isma, që mbiemrin e vajzërisë duket se e ka Silka, e ka të deklaruar edhe kompaninë EcoLex, ku bashkëshorti i saj Behar Isma posedon 100 për qind të aksioneve, raporton Demokracia.com.

Po ashtu, aktivistja e Vetëvendosjes, Vjosa Isma, ka deklaruar se ka marrë edhe pagë nga kjo kompani në të kaluarën.

Qeveria e Kosovës më 8 mars 2012 në mbledhjen e Qeverisë kishte themeluar Akademinë Diplomatike të Kosovës, e cila parashihej me Ligjin për Shërbimin Diplomatik dhe Konsullor të Kosovës.

Akademia Diplomatike si institucion publik ka për qëllim përgatitjen dhe trajnimin e anëtarëve të stafit diplomatik dhe zyrtarëve të tjerë që shërbejnë nëpër misionet e Republikës së Kosovës jashtë vendit. Në fushën e politikës së jashtme, ajo ndërmerr detyra që kanë karakter edukimi, trajnimi, këshillimi dhe karakter hulumtues.

Akademia Diplomatike ka për qëllim të bashkojë përvojën dhe ekspertizën vendore e ndërkombëtare, siç parashihet në Rregulloren me nr. 01/2012 mbi Funksionimin e Akademisë Diplomatike, për t’u bërë kështu institucioni kryesor për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Kosovë. Deri më tani, Akademia Diplomatike ka trajnuar një gjeneratë të re të diplomatëve dhe shërbyesve tjerë civilë, që punojnë në çështje ndërkombëtare.

Akademia Diplomatike e ushtron veprimtarinë e saj me seli në Prizren, por sipas nevojës ajo mund t’i shfrytëzojë të gjitha hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme./Demokracia.com/ 

Të ngjashme