Lajme
DOKUMENT| Sherri i “kunatave” anulohet konkursi për infermierë në Shtime, drejtorët e “çlirimtarit” të përfshirë në skandal
Demokracia
18:27 | 25 Korrik 2023

Share:

Komuna e Shtimes që udhëhiqet nga Qemajl Aliu i Lëvizjes Vetëvendosje, po vazhdon me keqqeverisjen e nepotizmin.

Komuna e “çlirimtarit” edhe këto ditë është përfshirë në një skandal të madh nepotik, shkruan Demokracia.com.

Dyshimet se në një konkurs për infermierë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime nuk është pranuar kunata apo “balldëska” e Isa Haxhiut, Drejtor i  Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë, Suzana Qorrolli, si dhe kunata e Drejtoreshës së QKMF-së, Pranvera Bajrami, Arieta Fazliu, po përfliten si arsye që kanë çuar në anulimin e gjithë konkursit.

Në këtë konkurs kishin aplikuar 27 infermierë për katër pozita të lira në QKMF.

Dyshimet për dallavere e kurdisje të konkursit kanë bërë që të reagojë edhe opozita e shoqëria civile e Shtimes.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Shtime është shprehur e shqetësuar ndaj kësaj situate.

Ata kanë kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur të çështjes për të zbuluar nëse ka pasur shkelje të ligjit dhe ndërhyrje të paligjshme në procesin e punësimeve, pasi që disa ditë më parë janë punësuar djali i vëllait të kryetarit Qemajl Aliu dhe vëllau i drejtoreshës së QKMF-së, Pranvera Bajrami, Qëndrim Bajrami.

Po ashtu, është bërë thirrje edhe për zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve për të parandaluar favorizimin e anëtarëve të familjes në vendimet për punësim.

Demokracia.com nga burime brenda QKMF-së në Shtime që ishin anëtarë për pranim në konkursin për pozitën e infermierëve, ka mësuar se në konkurs kishin kaluar të gjitha fazat e nevojshme dhe komisioni pranues nuk e kishte vlerësuar “balldeskën” e drejtorit Isa Haxhiu, Suzana Qorrolli (Suzana është vajza e axhës të bashkëshortes së Isa Haxhiut).

I pakënaqur me rrjedhën e konkursit dhe vlerësimin e komisionit, drejtori Haxhiu kishte marrë vendimin për të anuluar konkursin, duke arsyetuar se “Komisioni nuk e ka kryer punën si duhet”.

Por, Haxhiu e mohon të jetë kjo arsyeja e anulimit të konkursit.

I kontaktuar nga Demokracia.com, Haxhiu ka thënë se konkursi është anuluar për arsye procedurale.

“Kryesisht për arsye procedurale, mënyra e shpalljes së konkursit nuk ka qenë konfrom me ligjin”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Haxhiu, po ashtu, ka thënë se me zonjën Qorrolli ka lidhje familjare, por nuk është kunata e tij.

“Nuk është e vërtetë. Ajo nuk është kunata ime. Me kënd, me Suzana Qorrolli? Po. Është e largët, veç që është e martuar në Rashincë aty ku jetoj unë”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Haxhiu është pyetur edhe për punësimin e nipit të kryetarit dhe vëllait të drejtoreshës së QKMF-së si mjek.

“Ata kanë konkurruar. Të gjitha konkurset janë anuluar për shkak të procedurës, për shkak se konkurset janë shpallur me një udhëzim administrativ që nuk është më në fuqi. E ka shpallur QKMF-ja dhe kur e kam parë që është i jashtëligjshëm, e kam anuluar”, ka thënë Haxhiu për Demokracia.com.

Demokracia.com ka tentuar të kontaktojë edhe me drejtoreshën e QKMF-së, Pranvera Bajrami, por ajo nuk është përgjigjur në thirrjet tona.

Ky veprim i drejtorit Isa Haxhiu dhe drejtoreshës Pranvera Bajrami ka shkaktuar një polemikë të madhe, duke rritur dyshimet për shfrytëzimin e pozitës së tyre për përfitim personal dhe favorizim të anëtarëve të familjes, duke përfshirë këtu edhe kryetarin Qemajl Aliu.

Komisioni kishte vlerësuar me pikë maksimale: 1. Dashurije Rushiti (vajza e motrës së kryeinfermieres,  Fikrije Xhelili), Arieta Fazliun (kunata e drejtoreshës, Pranvera Bajrami), Shukrije Hysenajn dhe Luljeta Shabanin.

Po ashtu, Demokracia.com ka tentuar të kontaktojë me anëtarët e komisionit, por edhe komunikimi me ta ka qenë i pamundshëm.

Telefonin e ka hapur Ilaz Kadrija, i cili ndonëse shihet në fotografi, e ka mohuar se ka qenë kryetar i komisionit. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme