Lajme
Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë kërkon që të formohen sa më parë institucionet e shtetit
Demokracia
13:36 | 13 Mars 2021

Share:

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog pret që të formohen sa më shpejt institucionet e Kosovës.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka vlerësuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për certifikim e rezultatit zgjedhor, duke shtuar se pret formimin sa më të shpejt të institucioneve.

“E vlerësoj që KQZ ishte në gjendje të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve për më pak se një muaj pas ditës së zgjedhjeve. Pres që institucionet e Kosovës (parlamenti, qeveria dhe presidenti) të formohen së shpejti dhe të fillojnë të punojnë për të mirën e popullit të Kosovës”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.

Sipas të dhënave përfundimtare të KQZ-së, përqindja e daljes në zgjedhje ka qenë 48,78 për qind.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bënë të ditur se nga numri i votuesve, Lëvizja Vetëvendosje ka 438 mijë 335 vota ose 50,28 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës ka gjithësej 148 mijë 285 vota, apo 17 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 110 mijë 995 vota ose 12,73 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 62 mijë vota 111 ose 7.12 për qind. Lista Serbe ka 44 mijë e 407 vota apo 5.09 për qind.

Nisma Socialdemokrate ka 21 mijë e 997 vota apo 2.52 për qind, duke mos e kaluar kështu pragun zgjedhor./Demokracia.com/

 

 

 

Të ngjashme