Lajme
Kapja e ambasadave: Ish-zëvendësja e Albulena Haxhiut propozohet për ambasadore në Itali
Demokracia
16:56 | 20 Maj 2024

Share:

Dërgimi i militantëve dhe përkrahësve të partisë në pushtet në shërbimin diplomatik nuk ka të ndaluar.

Tashmë kjo po bëhet publikisht.

Ish-zv/ministrja e Drejtësisë, Nita Shala, është propozuar që të bëhet ambasadore në shtetin e Italisë.

Nacionale e ka siguruar ekskluzivisht dokumentin me të cilin ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar që të miratohet ky propozim.

Dokumenti është dërguar në adresën e kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëresha Kryeziu.

Nita Shala kishte qenë zv/ministre e Drejtësisë për disa muaj me radhë, por më pas kishte dhënë dorëheqje, duke e arsyetuar vendimin me disa rregullore të Universitetit të Prishtinës.

“Mbështetur në nenin 93, pika 8, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe ligjit Nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, në emër të Qeverisë, ju dërgoj në besim emrin e znj.Nita Shala, kandidate për ambasadore të Republikës së Kosovës në Itali”, thuhet në kërkesën e ministres Gërvalla.

Në këtë dokument është bashkëngjitur edhe CV-ja e Nita Shalës e cila aktualisht është profesoreshë në Fakultetin Juridik. Aty thuhet se Shala i plotëson të gjitha kushtet për këtë pozitë.

“Znj.Shala i plotëson të gjitha kushtet e parapra sipas nenit 6 të Ligjit nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës”, thuhet më tutje,

Nacionale ka mësuar se mbledhja e komisionit për Punë të Jashtme do të mbahet më 22 maj në orën 10:00.

Pika e vetme e rendit të ditës është për dëgjimin e kandidates së propozuar për ambasadore, në këtë rast Nita Shalës.

Nita Shala muaj më parë kishte dhënë dorëheqje nga pozita e zv/ministres në Ministrinë e Drejtësisë. Arsyetimin e kishte për disa rregullore të Universitetit të Prishtinës.

“Po, kam kërkuar dorëheqjen dhe nuk shërbej më në cilësinë e zëvendësministres së Drejtësisë” pati thënë Shala.

Arsyeja e dorëheqjes, sipas Shalës, është vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i cili ndalon emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik që shërben në detyra publike.

“Dorëheqja vjen si pasojë e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i cili ndalon emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik që shërbejnë në detyra publike. Marrë parasysh përgatitjen time dhe përkushtimin për të kontribuar në ngritjen e brezave të juristëve të rinj në Republikën tonë, vazhdimi i ushtrimit të funksionit të zëvendësministres më është pengesë në përmbushjen e qëllimeve akademike” shtoi tutje Nita Shala.

Ky propozim vjen pas shumë kritikave për kapjen e shërbimit diplomatik. Kjo sidomos duke ditur skandalin me rrogën prej mbi 7 mijë eurosh për Gani Jakupin.

Të ngjashme