Lajme
Shefi i misionit të Asamblesë Parlamentare të KE: Zgjedhjet në Serbi nuk ishin politikisht të drejta
Demokracia
08:24 | 23 Janar 2024

Share:

Zgjedhjet në Serbi të 17 dhjetorit ishin teknikisht të organizuara mirë, por politikisht nuk ishin të drejta dhe u shënuan me parregullsi të shumta.

Kështu tha Stefan Schennach, kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që vëzhgoi zgjedhjet në Serbi, në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg.

Duke paraqitur një raport për zgjedhjet në Serbi, Schenah tha se zgjedhjet u shënuan nga kushte të padrejta, parregullsi procedurale dhe akuza të shpeshta për organizimin dhe transportimin e votuesve për të mbështetur partinë në pushtet, Partinë Progresive Serbe (SNS) në zgjedhjet lokale, raporton agjencia Beta.

Në raportin e Schenah, i cili u publikua më herët, vërehet me shqetësim se përsëriten parregullsi dhe mangësi të shumta dhe se ato paraqesin çështje të rrënjosura që autoritetet në Serbi duhet t’i zgjidhin sa më shpejt.

Në raportin e Schenah, autoriteteve në Serbi u kërkohet të parandalojnë migrimin e organizuar të votuesve përmes ndryshimeve domethënëse në ligjet zgjedhore dhe të sigurojnë që institucionet e pavarura dhe mbikëqyrëse, veçanërisht Autoriteti Rregullator për Mediat Elektronike dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, të luajnë një rol proaktiv në sigurimin e kushteve të drejta zgjedhore, sipas Beta.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, provinciale dhe lokale në Serbi u mbajtën më 17 dhjetor në 65 qytete dhe komuna, përfshirë Beogradin.

Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” nuk i njeh rezultatet e tyre dhe akuzon SNS-në në pushtet për vjedhje të zgjedhjeve.

Sipas këtyre pretendimeve, qeveria ka ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve, ndër të tjera, përmes regjistrimit fiktive të qytetarëve nga vende të tjera në Serbi dhe jashtë saj në adresat në Beograd dhe sjelljen e tyre të organizuar për të votuar.

Ata i quajnë këta qytetarë “votues fantazmë”, duke theksuar se me ligj nuk kanë të drejtë të regjistrohen në Beograd dhe të votojnë nëse realisht nuk jetojnë atje.

Qeveria, e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për vjedhje të zgjedhjeve.

Të ngjashme