Lajme
SHBA: Rreth 90 viktima si pasojë e stuhive dimërore
Demokracia
21:11 | 22 Janar 2024

Share:

Afro 90 vdekje të ndërlidhura me motin e ftohtë janë regjistruar në SHBA gjatë javës së kaluar, ndërsa po vazhdojnë stuhitë e ashpra dimërore, raporton “BBC”.

Të paktën 25 të vdekur janë regjistruar në Tennessee, 16 në Oregon. Në Oregon vazhdon të mbetet gjendja emergjente.

Dhjetëra e mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike nëpër SHBA.

Mot i tillë pritet të vazhdojë deri në mesin e javës.

Në total janë regjistruar 89 raste fatale që ndërlidhen me stuhinë dimërore, sipas shifrave të publikuara nga “CBS”.

Ndërsa numri më i madh i të vdekurve është regjistruar në Tennessee dhe Oregon, raste me fatalitet janë regjistruar edhe në Illinois, Pennsylvania, Mississippi, Washington, Kentucky, Wisconsin, New York dhe New Jersey.

Në një incident në Portland, Oregon të mërkurën, tre persona humbën jetën kur erërat e fuqishme rrëzuan një shtyllë elektrike që ra në veturën e tyre. Ata humbën jetën pasi i zuri rryma, ndërsa një foshnjë që ishte në veturë mbijetoi.

Rastet e tjera me fatalitet janë duke u hetuar, përfshirë edhe një të një personi që humbi jetën në një aksident ku u përfshinë pesë vetura në Kentucky.

Pesë persona – besohet se ishin të pastrehë – humbën jetën brenda katër ditëve në Seattle, sipas “Associated Press”.

Në Mississippi, kushtet e vështira atmosferike kanë detyruar autoritetet t’u bëjnë thirrje shoferëve që të dalin “vetëm nëse është e nevojshme” dhe të kenë kujdes nga akulli.

Kolegjet dhe universitetet në këtë shtet e kanë vazhduar pushimin dimëror, për shkak të motit.

Derisa rryma është rikthyer në shumicën e zonave në SHBA, dhjetëra e mijëra qytetarë vazhdojnë të mbesin pa të.

Deri të dielën pasdite, afro 10 mijë persona në Oregon, rreth 8 mijë në Karolinë Veriore, 7 mijë në Kaliforni dhe 4300 në Kentucky kanë mbetur pa energji elektrike.

Acari pritet të vazhdojë deri nga mesi i javës.

Pas kësaj, meteorologët paralajmërojnë se ajri i ngrohtë dhe shiu mund të shkaktojnë në disa pjesë në verilindje të SHBA-ve.

Të ngjashme