Lajme
SHBA-ja lejon aleatet ta furnizojnë Ukrainën me aeroplanët F-16
Demokracia
23:08 | 19 Gusht 2023

Share:

Ukraina ka mirëpritur vendimin për armatosjen me aeroplanë. Për këtë vendim ka bërë presion që prej vitit të kaluar. Mirëpo do të duhen disa muaj para se Kievi të jetë e gatshme të përdor aeroplanët F-16 për t’iu kundërpërgjigjur superioritetit ajror të Rusisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar transferimin e aeroplanëve amerikanë F-16 në Ukrainë. Transferimi i aeroplanëve do të bëhet nga Danimarka dhe Holanda, kur pilotët ukrainas do të jenë plotësisht të stërvitur për të drejtuar këta aeroplanë.

“Në këtë mënyrë, Ukraina mund të marrë avantazhet e plota të kapaciteteve të reja”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit të premten në mbrëmje.

Ukraina ka mirëpritur vendimin për armatosjen me aeroplanë. Për këtë vendim ka bërë presion që prej vitit të kaluar. Mirëpo do të duhen disa muaj para se Kievi të jetë e gatshme të përdorë aeroplanët F-16 për t’iu kundërpërgjigjur superioritetit ajror të Rusisë.

Holanda mendohet se ka 24 aeroplanë F-16, të cilët pritet t’i heqë nga përdorimi dhe t’i zëvendësojë me aeroplanë më të avancuar. Edhe Danimarka po mendon të përmirësojë flotën ajrore që tani ka 30 aeroplanë F-16.

SHBA-ja dhe aleatët e saj në fillim të vitit kishin kundërshtuar armatosjen e Ukrainës me aeroplanët F-16, me frikën se kjo do të përkeqësonte situatën me Rusinë e armatosur me bomba bërthamore.

Si Danimarkës ashtu edhe Holandës u janë dhënë “garanci formale” për transferimin e aeroplanëve F-16, ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Ai ka shtuar se kjo do të ndodhë “sapo grupi i parë i pilotëve të përfundojë trajnimin e tyre”.

Ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra, përshëndeti vendimin e SHBA-së, duke thënë se “ky shënon moment historik për Ukrainën për të mbrojtur popullin dhe vendin e saj”. “Tani do të diskutojmë më tej këtë temë me partnerët tanë evropianë”, shkroi ai në një postim në rrjetin social “X”.

Ministri danez i Mbrojtjes, Jakob Ellemann-Jensen, pati qëndrime të njëjta.

“Qeveria ka thënë disa herë se dhurimi [i aeroplanëve] është hap i natyrshëm pas stërvitjes. Ne po e diskutojmë atë me aleatët e ngushtë”, ka thënë ministri danez.

Në Ukrainë, ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, e përshkroi vendimin e SHBA-së si “lajm të madh”.

“Ushtria jonë ka dëshmuar se është e mbushur me nxënës të shpejtë. Së shpejti do të dëshmojmë se fitorja e Ukrainës është e pashmangshme. Faleminderit të gjithë partnerëve dhe miqve tanë në Shtetet e Bashkuara, Holandë dhe Danimarkë. Më tej drejt fitores!”, ka shkruar ai në “X”.

Koalicioni prej 11 shteteve aleate të Ukrainës do të fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas më vonë këtë muaj dhe ata pritet të jenë gati vitin e ardhshëm.

Në fillim të kësaj jave, zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ihnat, pranoi se Kievi nuk do të jetë në gjendje të operojë F-16 këtë vjeshtë dhe dimrin që vjen.

F-16 Fighting Falcon konsiderohet si një nga aeroplanët luftarakë më të besueshëm në botë. Sipas Forcave Ajrore të SHBA-së, aeroplani mund të armatoset me raketa dhe bomba të drejtuara me saktësi dhe është në gjendje të fluturojë me shpejtësi 2 mijë e 400 kilometra në orë.

 

Të ngjashme