Lajme
Mbyllja e rrugëve ilegale s’po e ndalon hyrjen e armëve, Sveçla në kontradiktë me veten
Demokracia
08:53 | 18 Maj 2024

Share:

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaratat se po mbyllën rrugët ilegale në Veri i ka mjaftë të shpeshta, por në anën tjetër aksionet e Policisë së Kosovës tregojnë për gjetjen e një sërë armatimi, siç ishte rasti i fundit më 14 maj.

Për shkak të gjendjes ndryshe në terren, deklaratat e ministrit s’po merren seriozisht as nga ndërkombëtaret kjo për shkak se bien në kontradiktë me njëra-tjetrën, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë.

Për gjetjen e armatimit që ekziston në Kosovë e që ka hyrë rrugëve ilegale, institucionet kanë nisur hetimet qysh nga 24 shtatorit, ku nga ai sulm ishte gjetur një arsenal armësh duke dërguar më pas edhe në aksione të tjera të cilat përfunduan me gjetjen e armatimeve të tjera brenda territorit.

Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, kjo s’është hera e parë që deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme bien në kundërshtim me gjendjen faktike.

“Deklarimet e stomatologut, njëherësh ministrit të Punëve të Brendshme Sveçla, kanë qenë jo vetëm kësaj radhe në kundërshtim me njëra-tjetrën, por edhe në të kaluarën”.

Elezi, në një bisedë për Albanian Post radhit dy arsye përse deklaratat e tij i sheh si “mjaft befasuese”.

Disa prej armëve të konfiskuara në Veri të Kosovës.

“E para sepse ministri i Punëve të Brendshme, ka deklaruar disa herë madje edhe se të gjitha grupet kriminale terroriste i kanë dërguar në Kopaonik të Serbisë dhe më pas kanë vazhduar me operacione të ndryshme për rrjetën e armatimeve dhe arrestimeve të personave që kanë kryer aktivitete që cenojnë rëndë sigurinë e Kosovës”, thotë Elezi për AP.

Sipas tij, nuk mund edhe të thuash se grupet kriminale po luftohen e edhe të përfundojnë me gjetjen e armatimit në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Këto deklaratat e fundit janë vërtetë jo për t’u marrë seriozisht për faktin se kemi kontradiktë. E para se kryeministri, presidentja e ministri kanë thënë se kanë luftuar grupet kriminale, kanë mbyllur rrugët ilegale, e në anën tjetër kemi gjetje të numrit të madh të armatimeve në atë pjesë”.

Ai sqaron se shpërputhja me gjendjen faktike, po vjen nga vetë institucionet e Kosovës.

“Më pas e njëjta kundërshtohet me veprimet konkrete të operacioneve policore duke kapur armatime të grupeve kriminale/terroriste. Prandaj, as institucionet e sigurisë ndërkombëtare s’po na marrin seriozisht”.

Ndërkaq sa i përket situatës së sigurisë, Elezi potencon se ekziston rreziku që një sulm i ngjashëm si i Banjës të përsëritet.

“Kosova është e ekspozuar drejt rrezikut dhe përsëritjes së një sulmi të ngjashëm si i Banjës. Deklarimi i NATO-së bëhet edhe me qëllim për të rritur numrin e ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, njëkohësisht për të përgatitur edhe një përformancë të duhur të Policisë së Kosovës”.

“Gjithmonë do të gjenden rrugë të tjera”

Në anën tjetër, për ekspertë të tjerë të sigurisë, është e pamundur që të mbyllen të gjitha rrugët ilegale.

Kjo është e pamundur për shkak se gjithmonë do të bëhen përpjekje nga Serbia, së bashku me Rusinë që të gjenden rrugë të tjera.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dabishevci, në një përgjigje për Albanian Post thotë se ndonëse armatim gjendet në disa pjesë të Kosovës – rasti si ai i Banjës nuk mund të përsëritet.

“Në aspektin e sigurisë, gjithmonë do të ekzistojë ndonjë rrugë. Nuk mund të arrish t’i mbyllësh të gjitha rrugët, duke pasur parasysh që Serbia direkt me Rusinë është në 24 orë në luftë sociale me Republikën e Kosovës”, thotë Dabishevci për AP.

Foto nga një rrugë ilegale në Veri.

Ndër të tjera shton se, “kriminelët gjithmonë do të gjejnë ndonjë rrugë me qëllim destabilizimin e Kosovës”.

Ai deklaron se armatimi s’ka hyrë vetëm nga sulmi i Banjës, por për shumë vite Serbia vazhdimisht ka tentuar që të fusë armatim duke gjetur rrugë të reja ilegale.

“Meritat kryesore për gjetjen e këtij armatimi është bashkëpunimi i të gjitha institucioneve të sigurisë në mes veti dhe qytetarëve. Armatim në Kosovë, ka pasur dhe ka hyrë gjithmonë sepse kanë qenë rrugët ilegale atje, e që rezultoi edhe me sulmin e shtatorit në Banjë”.

Çka ndodh me armatimin e sekuestruara nga Policia e Kosovës?

Armët të cilat u sekuestruan nga Policia e Kosovës, fillimisht do t’u nënshtrohen disa proceseve ligjore, pas ekzaminimit të forenzikës për të siguruar prova dhe informacione të rëndësishme për procedurat gjyqësore dhe hetimin mund të vendoset nëse lejohet që përdorimi i këtyre armëve të bëhet nga Policia e Kosovës.

Kjo bëhet nëse Prokurori i Shtetit kërkon nga Gjykata që armët të përdorën nga Policia e Kosovës për qëllime të tyre, siç është sigurimi i rendit dhe ligjit.

Po ashtu, gjykata ka kompetencë për të vendosur nëse kjo kërkesë është e arsyeshme dhe të lejojë ose mos lejojë përdorimin e tyre nga autoritetet e policisë.

Foto: Policia e Kosovës. Gjetja e armëve nga sulmi i Banjës në Veri.

Nëse Gjykata konstaton fajësinë e të pandehurve dhe vendos konfiskimin e pasurive të sekuestruara, ato mund të shiten, likuidohen ose të kalojnë në pronësi të Qeverisë së Kosovës për shfrytëzim të arsyeshëm sipas rregullave dhe ligjit vendas.

Përgjithësisht, procedurat ndryshojnë varësisht nga legjislacioni dhe natyra e rastit të sekuestrimit.

 

Të ngjashme