Lajme
ShBA-ja ia miraton Turqisë blerjen e 40 aeroplanëve F-16 – kontratë 23-miliardëshe
Demokracia
08:22 | 27 Janar 2024

Share:

Qeveria amerikane e ka miratuar shitjen e 40 aeroplanëve luftarakë F-16 në Turqi – vendim i shtyrë për një kohë të gjatë – pasi Ankaraja e ratifikoi anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Në marrëveshje përfshihet edhe shitja e pajisjeve për 79 aeroplanë të tjerë F-16 të forcave ajrore turke, raporton televizioni BBC.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së i tha Kongresit se e kishte miratuar edhe shitjen e 40 aeroplanëve luftarakë të tipit F-35 në Greqi, me vlerë të 8,6 miliardë dollarëve, shkruan Nacionale.

Turqia e ratifikoi hyrjen e Suedisë në NATO pas më shumë se një viti shtyrjeje që kishte shkaktuar tensione në aleancën ushtarake.

Ankaraja e kishte bërë së pari kërkesën për blerjen e këtyre aeroplanëve në vitin 2021, por vonesa për ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO doli të ishte pengesë e madhe. Turqia thoshte se ishte e shqetësuar për atë që e quante përkrahje të Suedisë për separatistët kurdë.

Megjithatë, deputetët turq e ratifikuan hyrjen e Suedisë në aleancë këtë javë dhe presidenti Rexhep Erdogan e dha nënshkrimin përfundimtar.

Pastaj, presidenti amerikan, Joe Biden, bëri thirrje që shitja e aeroplanëve F-16 në Turqi të miratohej “pa vonesë”.

“Miratimi im për kërkesën e Turqisë për të blerë aeroplanë F-16 ka qenë pjesë e miratimit turk të anëtarësisë së Suedisë në NATO”- tha senatori demokrat, Ben Cardin, shef i Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme në Senat, që është njëri nga katër komisionet kyçe që duhet ta miratojnë shitjen e armëve jashtë vendit.

“Por mos gaboni: ky nuk ishte një vendim tek i cili erdha me lehtësi”- shtoi ai.

Senatori Cardin tha më tej se gjendja e të drejtave të njeriut në Turqi duhet të përmirësohet si dhe ky shtet duhet të bëjë më shumë për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për pushtimin e Ukrainës.

Tani Hungaria është anëtarja e vetme e NATO-s që ende nuk e ka ratifikuar hyrjen e Suedisë në aleancë, edhe pse rishtazi ka pasur shenja të përparimit në këtë drejtim.

Të ngjashme