Lajme
ShBA-ja e dënon me burgim të përjetshëm ish-informatorin e DEA-s për vrasjen e presidentit të Haitit
Demokracia
09:06 | 10 Shkurt 2024

Share:

Një ish-informator i Administratës Zbatuese të Drogës (DEA) të ShBA-së është dënuar me burgim të përjetshëm dhe një burrë tjetër u deklarua fajtor të premten në një gjykatë amerikane për vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise, në vitin 2021.

Këta dy persona janë në mesin e 11 të pandehurve që akuzohen për pjesëmarrje në komplotin për ta zëvendësuar Moisen përmes dërgimit të një ekipi të mercenarëve kolumbianë për ta vrarë atë në rezidencën e tij në kryeqytetin Haitian, Port-au-Prince. Nga katër personat që janë dënuar deri më tani në Miami, të gjithë kanë marrë burgim të përjetshëm, raporton agjencia “Reuters”.

Moise ishte qëlluar për vdekje në dhomën e tij të gjumit gjatë një aksioni të zhvilluar natën. Vdekja e tij kishte lënë një boshllëk politik gjatë të cilit aleancat e bandave të dhunshme i kanë zgjeruar territoret e tyre dhe tani vlerësohet se e kanë nën kontroll shumicën e kryeqytetit.

Ish-informatori i DEA-s, haitiano-amerikani Joseph Vincent, ishte deklaruar fajtor për ndihmë rreth komplotit përmes ofrimit të këshillave politike dhe takimeve me udhëheqësit e komunitetit. Sipas një dokumenti të gjykatës, ai kishte marrë pjesë në komplot si zyrtar i qeverisë amerikane.

Në të njëjtën ditë, banori i Floridës, Joseph Bergmann Jr., gjithashtu u deklarua fajtor ndaj akuzave në këtë rast, përfshirë dorëzimin e të dhënave të rreme ose çorientuese të eksportit.

Bergmann Jr. Ishte arrestuar bashkë me tre banorë të tjerë të Floridës para një viti, në kohën kur autoritetet amerikane kishin thënë se ai e kishte ndihmuar financimin e strehimit të përkohshëm të mercenarëve në Haiti dhe kishte ndihmuar në transportimin e jelekëve anti-plumb në Haiti përmes falsifikimit të dokumenteve të transportit.

Sipas autoriteteve amerikane, ky person mund të dënohet me deri në 20 vjet burgim.

Një hetim tjetër është duke u zhvilluar në Haiti. Gjykatësi i rastit ka kërkuar që të intervistojë figura të profilit të lartë, përfshirë kryeminsitrin Ariel Henry, pasardhësin de fakto të Moises, por i pazgjedhur nga populli, si dhe të venë e presidentit të vrarë, Martine Moise.

Të ngjashme